E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Panairi i Librit Tirana 2012

Është çelur të mërkurën paradite edicioni i 15-të i Panairit të Librit Tirana 2012. Për pesë ditë me radhë më shumë se 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi do të ekspozojnë botimet e tyre për lexuesin shqiptar. Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozeje, e cilësuar si festa e përvitshme e librit përshëndetën kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari dhe Abdullah Zeneli botues i shtëpisë “Buzuku” në Kosovë.
“Bashkia e Tiranës përfundon së shpejti planin urbanistik në të cilin, ndër të tjera, ka edhe dy piketa kryesore që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me librin”, tha kryetri i bashkisë, Basha. “Së pari aty është parashikuar ndërtimi i një bibioteke të re, e cila do të lehtësojë presionin që ndien Biblioteka Kombëtare dhe që do t’i japë akses lexuesit të lidhë kontakte të drejtëpërdrejta me librin. Në bulevardin e ri që do të ndërtohet së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i kësaj vepre. Së dyti, unë besoj se të gjithë duhet t’i japim rëndësinë e duhur tregut të lirë të librit. Në planin e ri urbanistik kemi vendosur piketa për ta mbështetur këtë treg. Ata që duan të hapin librari të reja, botues ose jo, do të jenë të lirë nga çdo taksë lokale për shitjen e librit”. Basha hodhi idenë për të mbështetur edhe organizimin e një panairi ndërkombëtar në Tiranë.
Ndërsa kreytari i shoqatës së Botuesve tha se ky panair është i veçantë për disa arsye. Është viti i festimit të 100 vjetëve pavarësi, viti i njëzet për shoqatën e botuesve, organizatore e panairit dhe i pesëmbëdhjeti vit radhazi për Panairin e Librit. “Ditët e panairit të librit janë pa dyshim një rast feste dhe gëzimi për të gjithë njerëzit që e duan librin”, tha ai. “Mjafton të hedhësh një sy përreth, për të rrokur vetëm me një vështrim se Panairi ynë, si për nga dukja edhe nga çfarë ofron, është i një niveli ndërkombëtar. Në këtë panair do të promovohen shumë tituj , shumë krijues do t’u shtohen radhëve të shkrimtarëve, shumë studiues do të debutojnë me veprat e tyre, shumë përkthyesve do t’u ndrijë ylli dhe shumë botues do ta surprizojnë lexuesin me titujt e tyre të rinj”. Ymeri bëri një përmbledhje të shkurtër edhe të historisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptare, e cila këtë vit mbush 20 vjet. “Kam kënaqësinë të përmend emrat e themeluesve të saj duke filluar me kryetarin tonë të parë e mikun tonë zotin Ramazan Hysa, zonjat Donika Omari e Zana Harxhi, zotërinjtë Riza Ibrahimi e Petrit Ymeri, Rexhep Hida e Alfred Sejdia, Petraq Risto, Shefki Karadaku e Ibrahim Hoxha, Cezar Kurti e Hysen Canko. Kanë kaluar 20 vjet nga maji i 1992 dhe shohim me krenari rrugën vërtet të vështirë që kemi bërë por edhe rezultatet e mahnitshme që kemi arritur. Mund të themi me siguri që sot libri shqip radhitet në të njëjtin nivel përfaqësimi e cilësie me editoritë europiane e botërore”. Si një ndër arritjet kryesore të kësaj shoqate dhe anëtarëve të saj, Ymeri përmendi respektimin e së të drejtës së autorit, por edhe faktin se tanimë ekziston Ligji për Librin apo Ligji për të Drejtat e Autorit.
Të pranishmit, përfaqësues të përfaqësive të huaja në Tiranë, ndër to edhe Ambasadorja e Franës, ambasadorit të Malit të Zi, drejoresha e Institutit Italian të Kulturës, shkrimtarë e njerëz të medias i përshëndeti edhe drejtori i Bibiotekës Kombëtare dhe botuesi i shtëpisë “Buzuku” në Kosovë, i cili vuri theksin mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së botuesve kosovarë në këtë event të rëndësishëm të librit.

Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave do të zhvillohen më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj. Në serinë e aktiviteteve nuk do të mungojë diskutimi i temave profesionale. rreth 1500 janë tituj të rinj.
Lexuesit përveç tjerash do të kenë mundësi të takojnë pranë stendave të shtëpive botuese edhe autorë të ndryshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›