E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekui-Arvizu Dialogoni per integrimin

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Etore Sekui i bëri apel forcave politike që të mblidhen sa më parë, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën drejt integrimit.

Në një prononcim për mediat, në përfundim të konferencës së organizuar në Shkollën e Magjistraturës, ambasadori Sekui theksoi se mbetet pak kohë për përmbushjen e reformave.

“Këshilli do të mblidhet në dhjetor, nuk ka mbetur shumë kohë. Kemi nevojë në çdo rast për progres në këtë drejtim. Ju e dini që unë e pëlqej muzikën. Është një opera që quhet Aida, në të cilën një ushtri niset për rrugëtim. Ushtria thotë, le të nisemi por nuk lëvizin bëjnë hapa marsh në vend. Unë shpresoj që ndryshe nga kjo opera ne do mund të lëvizim, pasi të gjithë duam të ecim përpara dhe të përparojmë në këtë rrugë.”- u shpreh ambasadori i BE-së.

Arvizu: Zgjedhjet e 2013, test për Shqipërinë
Ndërkohë ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje mesazhin që përcolli në Tiranë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Ambasadori Arvizu vuri në dukje se problemi kryesor i liderëve politikë është mungesa e kominunikimit dhe në ktë kontekst ai theksoi domosdoshmërinë për dialog mes palëve.

“Qeveria amerikane nxit Shqipërinë që të vazhdojë përpara me reformat. Axhenda përfshin shumë elementë, por 2 janë të rëndësishëm. E para janë çështjet e rëndësishme ligjore dhe elementi i dytë, që është edhe më i rëndësishëm, është krijimi i një rekordi i luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së një qeverisje më të mirë. Një nga mangësitë këtu është komunikimi i dobët mes drejtuesve politikë. Komunikimi duhet të përmirësohet. Kemi kaq shumë gjëra përpara dhe mendoj se çelësi do të ishte përmirësimi i dialogut mes tyre.”- u shpreh ambasadori Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›