Hapet autostrada, Elbasani bashkohet me Tiranën
U kry! Autostrada Elbasan-Tiranë shkakton entuziazëm të madh në të gjithë hapësirën shqiptare dhe nxit aspiratat për investime të tjera madhore, që do na afrojnë me stacionin “Shqipëria, vend i zhvilluar”.
Berisha: Sot e tutje ndryshoi gjeografia jonë, shtohet roli jonë si Porta e Adriatikut
Në një atmosferë të gëzueshme dhe festive, Kryeministri Berisha u prit sot nga qindra qytetarë të pranishëm në vënien në shfrytëzim të tunelit të Kërrabës, i cili i jep jetë dhe bën realitet rrugën më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, autostradën Tiranë-Elbasan .“Emocionet sot janë të mëdha sa vetë rruga, ato nuk kanë të përshkruar” iu drejtua kryeministri mbarë qytetarëve shqiptarë, duke e cilësuar ditën e vënies në shfrytëzim të tunelit Tiranë- Elbasan, si një ditë që do të mbetet në memorien e përbashkët, si dita e krenarisë kombëtare, dita e realizimit të ëndrrës së përbashkët të shumë brezave, të cilët ëndërronin që një ditë Elbasani, “qyteti i shpirtit dhe zemrës te shqiptarëve, ku qytet djepi i dijes dhe shkollimit të tyre të bashkohej me Tiranën nëpërmjet këtij tuneli”. Ndërkaq çdo shqiptar nga Konispoli në Vermosh, nga Hani i Hotit në Gjirokastër udhëton në rrugët më moderne, të denja për qytetarët e një vendi të zhvilluar. Modeli ynë është modeli i zhvillimit. “Unë jam mjek dhe për mua trupi i një kombi është i njëjtë me trupin e një individi. Le të jenë si të duan të shëndetshme, organet e tij, muskujt e tij, por në qoftë se arteriet janë të zëna dhe nuk funksionojnë, problemi është i madh. Po kështu dhe me vendin. Lë të ketë ai pasuritë më madhore, potencialet më të mëdha, po nuk pati rrugë, po nuk pati zhvillim të gjitha mbeten objekte, asete, pa vlere dhe të fjetura. Për mua trupi i kombit është si trupi i individit. Dija është truri i tij. Ndaj dhe ne në modelin tonë kemi bërë gjithçka që krahas rrugëve të ndërtojmë shkolla, të hapim universitete, të hapim dyert e universiteteve për shqiptarët. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, ndër më modernet. Për ne dija është themeli, ndaj dhe ne në një hark kohor të shkurtër ne kaluam nga interneti inekzistent, tek Shqipëria dixhitale, autostradat e saj qarkojnë në mbarë Shqipërinë”, deklaroi kryeministri Berisha. Sipas tij, ky model është modeli i zhvillimit, pasi janë ndërtuar në këtë Shqipëri mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale. “4 vitet që vijnë, fjala ime e nderit është se sistemi më i përsosur i menaxhimit të tyre dhe financimit do të vendoset dhe ju do të merrni shërbimet më moderne”, theksoi ai. Ndërkohë Kryeministri Berisha ftoi deputetin e PS-së Ben Blushi që të mbajë fjalën e dhënë dhe të marrë teseren e Partisë Demokratike. “Kam menduar për zotimin e Ben Blushit dhe kam vendosur ta ftoj në selinë e PD-së dhe ti jap dokumentin e Partisë Demokratike dhe këtë vetëm e vetëm për ti dhënë atij mundësinë njëherë në jetë në mbaj fjalën e tij. E pres në seli kur të dojë që tia dorëzoj atë dokument sepse ne tunelin e ndërtuam” tha Berisha. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e këtij segmenti si simbolin e modelit të cilit ai i ofron qytetarëve, përballë alternativës së bllokimit të Partisë Socialiste. “Kjo autostradë është modeli ynë i zhvillimit I cili vendoset përballë bunkerit pa ide të autobusit mavi. Kjo opozitë, ajo që doli kundër tunelit, ajo që ka dalë në mënyrë të vazhdueshme kundër zhvillimit. Modeli i opozitës është modeli i dëshpërimit, modeli i zhgënjimit, mbjelljes së zisë dhe vrerit kudo. Ky model i fabrikuar nga njerëz pa nivele kërkon që tunelin, rrugët tuaja, shkolla tuaja, ti mohojë dhe ti fusë në thesin e Koços dhe bashkë me Koçon në autobuzin mavi. Ndaj dhe është koha të bashkohemi. Ne mbajmë fjalën tonë dhe inagurimi i tunelit tonë është mbajtja e premtimit tonë. Në këtë ceremoni ishte edhe i ftuar edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit (Qazim Sejdini), por ai nuk erdhi për arsye partiake. E ja pra, kjo është një tjetër provë, se alternativës së zhvillimit, rrugëve, shkollave, spitaleve të rinj e integrimit, që vendoset përballë asaj të bllokimit”, shtoi kryeministri. Kjo rrugë e cilësuar si arteria kryesore e Korridorit 8 vjen për qytetarët shqiptarë si një premtim i mbajtur nga ana e qeverisë, duke përfaqësuar standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan. Autostrada, me një vlerë investimi prej 204 milionë dollarë ka një gjatësi 27 kilometra, 4 korsi, me një tunel 2,5 kilometra të gjatë, 7 mbikalime, 21 vijadukte, 4 nënkalime. Autostrada përbëhet nga tre segmente Segmenti I(Sauk -Tuneli i Krrabës gjatësia 13 km) Segmenti II (Tuneli i Krrabës gjatesia 2.5 km ), Segmenti III (Tuneli i Krrabës – Elbasan gjatesia 11.5 km) Tuneli i Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim, u realizua në një kohë rekord prej 13 muajsh. Punimet për ndërtimin e tij nisën në muajin maj të vitit 2011, dhe pas afro 9 muajsh filluan edhe dy kontratat e tjera te segmenteve rrugore para dhe pas tunelit. Autostrada Tiranë-Elbasan u kursen qytetarëve shqiptarë së paku 40 minuta kohë për të mbërritur në destinacionet e tyre, duke bërë që distanca mes dy qyteteve të përshkruhet në më pak se 20 minuta. Ajo është rrugë kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e rretheve Elbasan, Librazhd, Korçe, Pogradec, Kolonje. Ajo gjithashtu është pjesa e pare e Boshtit te Jugut. ( Cërrik, Belsh, Kuçove, Berat, Tepelene,Gjirokastër, Delvine, Sarande).Me ndërtimin e saj skajet ekstreme jugore apo lindore te Shqipërisë do te arrijne ne Tirane per me pak se 2 ore me përfundimin e segmenteve qe vijnë pas autostradës se re. Një falënderim të përzemërt, kryeministri drejtoi për punonjësit e kompanisë AKTOR që realizoi punimet në tunel, si dhe veçanërisht presidentit të kësaj firme i cili dëshmoi dashuri, respekt, e përkushtim për Shqipërinë, duke u angazhuar nëpërmjet një pune të palodhur për të përfunduar në kohë rekord, vetëm 13 muaj, hapjen dhe vënien në shfrytëzim të tunelit të Kërrabës. Kryeministri theksoi se “Shqipëria inauguron sot segmentin më të rëndësishëm në territorin e saj të Korridorit 8, Korridor i cili do të sjellë flukse të mëdha të tregut, energjisë dhe të të gjitha llojeve nga Lindja drejt Perëndimit, portë e të cilit në Ballkan është Shqipëria.” Por kryeministri tha gjithashtu se “Autostrada Tiranë –Elbasan është segmenti më i rëndësishëm të Korridorit të jugut, Korridor, i cili do të sjelle më afër Beratin, Tepelenën Dumrenë, në një kohe rekord në Tiranë , pra ky korridor për rëndësinë e tij është i jashtëzakonshëm për zhvillimin e Shqipërisë, për zhvillimin e shqiptarëve” Fillimisht, kryeministri u prit në hyrjen e tunelit nga ana e Tiranës, nga deputetë të qarkut të Tiranës dhe kryetarë të komunave përreth, ku bashkë me të cilët përshkroi tunelin deri në daljen e Elbasanit, dhe u prit nga deputetë të Elbasanit, punonjës të firmës AKTOR.SA, si dhe qytetarë të shumtë.
Basha: Mrekulli mahnitëse, arkitekt i kësaj vepre Berisha/Kryebashkiaku Basha e përshkoi tunelin dhe rrugën si një mrekulli mahnitëse, ndërsa ia atribuoi meritat për ndërtimin e saj, kryeministrit të vendit Sali Berisha. “Jam i lumtur dyfish si kryebashkiak dhe si ish-deputet i Elbasanit. Nuk kam dyshuar asnjëherë tek këto sipërmarrje të mëdha, e di se kur Sali Berisha thotë do bëjmë rrugën ajo bëhet, kur thotë do bëjmë tunelin, ai bëhet. Sa herë që çajmë malet dhe sjellim zhvillim, arkitekt i këtij projekti është Sali Berisha, ky është lidershipi i vërtetë për cdo shqiptar”, theksoi Basha. “Tiranës i afrohet një treg tjetër, një mundësi më shumë për mirëqenie, biznes, fuqi blerëse, ky është zhvillim, të ecim përpara”, shtoi ai më tej. Basha u shpreh ndër të tjera se PD është alternativa e duhur për qytetarët. “Ata që u përpoqën ta bllokojnë thonë që kjo s’është reale, s’është rrugë, s’është tunel, s’është zhvillim, duan të na ndalin, por ne do ecim përpara, jemi alternativa e duhur. Për ne qytetarët janë të parët, do ecim përpara për Tiranën, Elbasanin e gjithë Shqipërinë”, vijoi ai.
Flasin Dimitrios Koutras dhe Ardian Turku - “Tuneli, sipas standardeve europiane, kjo vepër është dëshmi e zhvillimit të Shqipërisë”/Drejtor i kompanisë greke, Aktor, Dimitrios Koutras që ndërtoi rrugën Tiranë-Elbasan gjatë përurimit të kësaj vepre të jashtëzakonshme infrastrukturore deklaroi se, “Inaugurojmë sot sëbashku një nga veprat më madhështore të ndërtuara nga ne ndonjëherë. Pas afro 9 muajsh filluan edhe dy kontratat e tjera të segmenteve rrugore para dhe pas tunelit. Sot ne përurojmë përfundimin e tunelit në një kohë rekord prej 13 muajsh. Në ditë janë gërmuar mbi 2000 m3 shkemb dhe janë derdhur mbi 550 m3 beton. Në kohë rekord hapëm për qarkullim segmentin nga Tuneli në Elbasan dhe një segment para tunelit nga Mulleti në Ibë. Kështu rreth 2/3 e rrugës është në përdorim të qytetarëve ku megjithë kushtet e vështira dhe të veçanta atmosferike, kompania ka arritur të realizojë një volum të madh punimesh. Kjo vepër dhe standardet me të cilat është ndërtuar, është një dëshmi e zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë”.
Ndërsa, deputeti i Elbasanit Ardian Turku tejet i emocionuar deklaroi se tani Elbasanit është bërë një epiqendër kryqëzimesh. “Nuk mund të fsheh emocionet. U fol vite më parë për një rrugë shumë të shkurtër Elbasan-Tiranë. 4 vjet më parë, Lulzim Basha drejtoi ekipin fitues dhe premtoi se do ta çajmë Kërrabën më dysh. Por sot shoh dritën tej e tej tunelit. Kjo rrugë së shumti i takon Elbasanit. Ishte si një ndalesë e rrugës Egnatia. Kur Egnatia humbi funksionin Elbasani mbeti i izoluar. Tani Elbasani kthehet në epiqendrën e kryqëzimit të rrugëve nga një skaj i vendit në një skaj tjetër. Ky projekt u ndërtua edhe prej shumë punëtorëve nga Elbasani", kështu u shpreh Ardian Turku, ish-ministër i Kulturës në përurimin e Tunelit që lidh Elbasanin dhe Tiranën. Sipas tij. Ky project do të sjellë zhvillim e do të hapë mijëra vende të reja pune për qytetarët e Elbasanit, Tiranës, Gramshit, Peqinit, Librazhdit, Mokrës, Pogradecit dhe Korçës. “Qytetarët e Elbasanit e kanë në mendje mos votimin me urdhër të Edi Ramës të tunelit të Krrabës dhe rrugës Elbasan-Tiranë, modelit që nuk do t’ia dijë për zhvillimin, modelit që nuk deshi tia dijë për dritën e zhvillimit, që u hap për Elbasanin ky tunel. Në 23 qershor, zgjedhja është e qartë, për të gjithë elbasanllijtë. Do të votojnë numrin 44 për të ecur përpara, për të ecur drejt tunelit që mundëson kapjen e kohës së humbur ndër dekada e shekuj.