E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donald Rumsfeld, sot në Tiranë për promovimin e librit të tij me kujtime

17-06-2013 / Gazeta 55

Sot në orën 17, Shtëpia Botuese “55”, promovon publikimin best-seller të ish-shefit të Pentagonit, “Të njohura e të panjohura”. Gjatë ditës, politikani i njohur amerikan do të marrë pjesë në një “town hall” me kryeministrin Berisha, do të dekorohet nga presidenti Nishani si dhe do të marrë nga kryebashkiaku Basha, titullin “Mirënjohja e Qytetit”

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, do të zhvillojë sot një vizitë në Shqipëri, ku do të pritet nga presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Sali Berisha.  Politikani i shquar amerikan do të dekorohet nga Presidenti i Republikës në një ceremoni që do të zhvillohet në orën 10.30, ndërkohë që më pas do të marrë pjesë në një “Town Hall” me Kryeministri Berisha ne Sheraton.
Në kuadër të agjendës së vizitës, z. Donald Rumsfeld do të marrë pjesë sot në promovimin e organizuar nga Shtëpia Botuese “55” të librit të tij, “Të Njohura dhe të Panjohura”,  në Hotel Tirana, në orën 17.00. 
Libri i z.Donal Rumsfeld prej mëse një viti i serviret lexuesit shqiptar nga Shtëpia Botuese “55” dhe ashtu si në shumë vende të botës edhe në Shqipëri nuk e ka humbur epitetin “best-seller”. “Të njohura dhe të Panjohura” është një rrëfim mbi ngjarjet kryesore  të shekullit XX dhe fillim shekullit XXI, nga rreziqet e Luftës së Ftohtë dhe konflikteve të rajonit të nxehtë të Lindjes së Mesme e deri tek sulmet e 11 shtatorit dhe luftës në Afganistan dhe Irak. Donald Rumsfeld vjen nëpërmjet këtij libri, jo si shkrimtar, por si protagonist i ngjarjeve që shënuan historinë botërore dhe amerikane, pasi siç shkruan ai vetë “jeta ime shtrihet në më shumë se një të tretën e historisë së SHBA-së”.  
***
I lindur në Illinois, më 9 korrik 1932,  Donald Henry Rumsfeld, do të arrinte të listohej në grupin e figurave më të shquara të politikës amerikane të shekullit XX dhe fillim shekullit XXI. Siguria e SHBA-së, e kërcënuar nga Lufta e Ftohtë dhe konflikte të ndryshme globale, do të kishte si gardian Donald Rumsfeld. Kredencialet e tij tepër të dukshme, janë dalluar dhe vlerësuar nga shumë presidentë dhe vetë “CV”ja e tij, të cilën po e japim poshtë tregon valencën që mbart z.Rumsfeld.
Donald Rumsfeld ka shërbyer si Sekretar i 13-të i Mbrojtjes nga 1975-1977 nën presidentin Gerald Ford, dhe si Sekretar i 21-të i Mbrojtjes 2001-2006 nën presidentin Xhorxh W. Bush. Ai ishte politikani më i ri dhe më i vjetër që ka shërbyer si Sekretar i Mbrojtjes. Përveç kësaj, Rumsfeld ka shërbyer si kongresman amerikan nga Illinois,  drejtor i Zyrës për Mundësi Ekonomike (1969-1970), Këshilltar i Presidentit (1969-1973), Përfaqësuesi i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO (1973 -1974), dhe shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë (1974-1975).
Lindur në Illinois, Rumsfeld u diplomua për shkenca politike në Universitetin Princeton, në vitin 1954. Pasi shërbeu në Marinë për tre vjet, ai u angazhua në një fushatë elektorale për Kongres, në Distriktin 13 të Illinois-it duke fituar në vitin 1962 në moshën 30 vjeçare dhe u rizgjodh në vitin 1964, 1966 dhe 1968.  Ai ishte udhëheqës dhe bashkë-sponsor i Aktit të Lirisë së Informacionit. Në vitin 1969, ai pranoi ftesën e Presidenti, Riçard Nikson, për të drejtuar Zyrën e Mundësive Ekonomike; ai do të kryesonte Programin e Stabilizimit Ekonomik. 
Në shkurt të vitit 1973 Rumsfeld la Uashingtonin për të shërbyer si ambasador i SHBA në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), në Bruksel, Belgjikë. Ai shërbeu si përfaqësues i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Komitetit të Planifikimit të Mbrojtjes dhe të Grupit të Planifikimit Bërthamor. Me këtë cilësi, ai përfaqësonte Shtetet e Bashkuara në rrafshin ushtarak dhe diplomatik
Kur Ford humbi zgjedhjet në vitin 1976, Rumsfeld iu rikthye jetës së biznesit privat, si president i GD Searle & Company, një kompanie farmaceutike. Në vitin 1977, Rumsfeld u shpërblye me vlerësimin më të lartë civil të SHBA-së, Medaljen Presidenciale të Lirisë.
Në nëntor të vitit 1983, Rumsfeld u emërua Emisar Special për Lindjen e Mesme nga Presidenti Ronald Reagan, në një kohë të trazuar në historinë moderne të Lindjes së Mesme, kur Iraku po luftonte Iranin në luftën Iran-Irak. Shtetet e Bashkuara dëshironin t’i jepnin fund konfliktit dhe Rumsfeld u dërgua në Lindjen e Mesme për të shërbyer si ndërmjetës për paqe në emër të Presidentit.
Kur Rumsfeld vizitoi Bagdadin më 20 dhjetor 1983, ai u takua me Sadam Huseinin,  në pallatin e liderit irakian, me të cilin zhvilloi një bisedë prej 90-minutash.
Në fund të vitit 2000, Donald Rumsfeld, u rekomandua për postin e Sekretarit të Mbrojtjes nga Zëvendës presidentin, Dik Çeni, për t’u emëruar  në janar të vitit 2001 nga presidenti Xhorxh W. Bush.
Mandati i dytë i Rumsfeld si Sekretar i Mbrojtjes e  vulosi atë si kreun më të fuqishëm të Pentagonit që nga Robert McNamara dhe një nga anëtarët e kabinetit më me ndikim në administratën e Bushit. Qëndrimi i tij në këtë post është vlerësuar me nota të larta, si ideatori dhe arkitekti i modernizimit të ushtrisë së SHBA të shekullit  XXI. Roli i Rumsfeld-it ishte vendimtar në planifikimin reagimit të Shteteve të Bashkuara në sulmet terroriste të 11 shtator 2001. Gjatë kohës së tij si Sekretari i Mbrojtjes, Rumsfeld, përveç kontributeve të sipërcituara, kujtohet për sinqeritetin dhe mendjemprehtësinë e tij gjatë konferencave javore apo të jashtëzakonshme me shtypin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›