Hapet pas 20 vjetësh Muzeu Apolonia
Apolonia e lashtë, kjo qendër e rëndësishme e historisë dhe kulturës shqiptare, ka hapur dyert e saj edhe për këtë sezon turistik. Qendra muzeale ka filluar të rikonstruktohet për t’u rikthyer pas 20 vitesh mungesë në një qendër të vizitueshme për turistët vendës dhe të huaj. Një financim i Këshillit të Europës, që kap vlerat e rreth 165 mijë euro, ka nisur prej disa ditësh në këtë qendër. Financimi përfshin ndërhyrje restauruese e rikonstruksion të portikut të lashtë, mbulesës së qendrës muzeale, pajisjes së kësaj qendre me elementë të sigurisë, kamera, ndriçim bashkëkohor etj. Sipas arkeologut Vangjel Dimo, kjo është faza e parë e implementimit të projektit të hartuar nga përfaqësuesit e kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë në Këshillin e Europës.
“Janë mbushur 20 vjet që nga viti 1992, që muzeu i Apolonisë nuk ka funksionuar. Eksponatët e tij, gjetjet zbulimet e kryera ndër vite janë në konservim në kryeqytet, në Vlorë si dhe në magazinën e kësaj qendre, duke qëndruar larg syrit të vizitorëve. Edhe për ne arkeologët kjo gjendje ka qenë e papranueshme” - tha ai. Që prej vitit 1992 qendra muzeale në Apoloni ka qenë e mbyllur. Ndërsa edhe ato pak statuja të ngelura në portikun e kësaj qendre muzeale u tërhoqën që andej në shkurt të vitit 2010, për shkak të shembjes së mureve mbajtës dhe çarjeve evidente që u vërejtën në këtë portik, e sidomos në vendet ku qëndronin të ekspozuara këto statuja.