Hapet samiti i gruas
Presidentja e Republikës së Kosovës, në hapjen e këtij samiti u është drejtuar të pranishmëve duke u thënë se roli i gruas është më se i nevojshëm për shoqërinë e vendit tonë, e cila ka ditur të tregojë suksese në të gjitha sferat e jetës.
“Kam pasur nderin që t’ju ftoj të gjitha prej jush në këtë samit, sepse përmes punës suaj, përkushtimit dhe qasjes suaj inovative ju keni dëshmuar një ndryshim të tillë, një vizion dhe një lidership të tillë që është më se i nevojshëm në këtë moment dhe në këtë kohë. Në kohën kur duhet të kemi më shumë barazi, më shumë mundësi, qasje më të qëndrueshme në resurse dhe politika më të balancuara, kohë kur kemi nevojë për të pasur më shumë ndikim në sferën publike, përfaqësim më të madh politik, mundësi më të mëdha për të siguruar mjete të jetesës për familjet tona dhe për të pasur një rol më të madh në vendosjen dhe mbajtjen e themeleve të së drejtës së një shteti”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se në Kosovë popullsia përbëhet me afro 50 për qind të grave dhe pa to, si partnere të barabarta, ajo ka thënë se nuk mund të flasim për prosperitet dhe për një shoqëri të lirë, duke e konsideruar potencialin e gjinisë femërore si një nga pasuritë më të mëdha të shoqërisë. Ajo tha se gratë janë në pozitë shumë më të mirë sesa që kanë qenë dje, por sipas saj, kjo nuk do të thotë se ka mbaruar puna në këtë rrugë.
Ajo ka falënderuar mbështetjen e vazhdueshme të sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton. Kjo e fundit, përmes një videoincizimi, i ka përshëndetur të pranishmit në samit, duke shprehur keqardhjen e saj që nuk ka pasur mundësinë të jetë e pranishme, përkundër dëshirës së saj.
Clinton i ka përshëndetur të gjithë ata që po angazhohen për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Ajo po ashtu e ka përshëndetur edhe punën e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, për angazhimet e saj si femra e parë presidente në Kosovë dhe në rajon.
“Me vjen keq që nuk mund të jem personalisht me juve, por jam tepër e lumtur që mund t’ju përshëndes të gjithë juve që po punoni në hapjen e mundësive për gratë në Ballkan dhe nëpër tërë botën. Zonja Presidente më pëlqen së tepërmi që mund ta them kështu, ju kemi ndërtuar karrierë, keni ndërtuar ura që promovojnë paqe, përparim dhe begati. Si femra e parë në krye të shtetit në rajon, ju jeni një udhëheqëse e natyrshme në çështjen e fuqizimit të grave si dhe në shumë të tjera”, ka thënë ndër të tjera ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton përmes një videomesazhi enkas për këtë samit.
Për më tepër, ajo ka përgëzuar po ashtu popullin e Kosovës për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë, duke shtuar se ShBA-të do të jenë partneri juaj i fuqishëm në rrugëtimin e Kosovës.
Për ta begatuar edhe më shumë këtë samit, këtë e bëri prania e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeline Albright. Ajo ka thënë se ka një lidhje shumë të veçantë me Kosovën dhe popullin e saj, duke shprehur dëshirën e thellë që të shohë prosperitet dhe rritje në drejtimin e duhur për Republikën e Kosovës.
“Për shkak të përfshirjes sime në të kaluarën në këtë vend, unë vërtet kam një lidhje të posaçme me popullin tuaj dhe një dëshirë të thellë që të shoh prosperitet dhe rritje në drejtimin e duhur për vendin tuaj. Mendoj se tani me fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë është një moment i rëndësishëm që ne të takohemi dhe mendoj se një ditë mund të kontribuojmë këtu, të shpërndajmë demokracinë në tërë rajonin”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Kurse sa i përket çështje së gruas, ajo ka thënë se pa gratë demokracia në secilin shtet është e pamundur. Ajo ka shtuar se asnjë shtet ndërkombëtar nuk mund ta gëzojë respektin nëse nuk i respekton së pari vajzat dhe gratë e atij vendi.
Po ashtu, me një fjalë rasti është paraqitur edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ka thënë se edhe gratë mund të jetë të suksesshme, ashtu siç edhe janë dëshmuar.
“Kush mund të thotë se ne qenkemi të zonjat të bëjmë punë të pamatshme në shtëpi, por nuk qenkemi të zonjat të bëjmë punë të mëdha në politikë apo të drejtojmë institucione? Kush mund të thotë se ne që lindim e rrisim fëmijë nuk duhet t’i përfaqësojmë ato njëlloj si burrat në Parlament. Kjo jo vetëm nuk është e drejtë, por nuk është as e zgjuar. Prandaj jemi këtu. Prandaj duhet të ndryshojmë. Nga kjo foltore do doja t’i thosha çdo gruaje, çdo nëne, çdo bije: Mos rrini mënjanë, mos u nënshtroni, “Mos kini frikë”. Ju do bëni ndryshimin. Bashkë do bëjmë ndryshimin. Ndryshimi është rritja. Ndryshimi është energjia. Është e drejta. Është e ardhmja”, ka thënë ndër të tjera Topalli.
Për më tepër, të pranishëm në këtë samit ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, gra nga jeta politike e shoqërore. Ndër të pranishmit në këtë samit ishin edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, Samuel Zhbogar, si dhe shumë të tjerë./kosovapress/