E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet shkolla 9- vjecare në burgun e Fushë-Krujës

Shkolla do të frekuentohet nga 34 të burgosur. Pas Peqinit e Fushë-Krujës, burgjet që do të kenë shkolla 9-vjeçare për të dënuarit janë burgu i Burrelit, i Rrogozhinës dhe Korçë. 

KRUJË - Pas hapjes së shkollës për të dënuarit në burgun e Peqinit, një tjetër qendër arsimore do të çelet nesër, këtë herë në burgun e Fushë-Krujës. "Në burgun e Fushë-Krujës do të hapet shkolla e dytë 9-vjeçare në sistemin penitenciar, ku kanë shprehur dëshirën për t'u arsimuar 34 persona me liri të kufizuar", - pohojnë për "Gazeta Shqiptare", drejtues të këtij institucioni riedukimi. Sipas burimeve të mësipërme, në këtë shkollë do të jepen 6 lëndë, përkatësisht Gjuhë shqipe, Edukatë qytetare, Matematikë, Histori, Gjeografi dhe Shkenca (kimi, biologji, fizikë). Në bazë të marrëveshjes, dëftesat do të jepen nga Zyra Arsimore e Fushë-Krujës dhe do të jenë të barazvlefshme me dëftesat e shkollave të tjera. Ndërkohë që tekstet mësimore ofrohen falas. Shtrirja e procesi mësimor në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe DPB-në në kuadër të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit. Me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjatë muajit dhjetor 2008 u hap shkolla e parë 9-vjeçare në burgun e Peqinit, ku aktualisht janë duke ndjekur procesin mësimor 44 të dënuar. Mësohet se DPB-ja ka marrë përsipër sigurimin e kushteve, lehtësirave dhe infrastrukturës së nevojshme si dhe sigurimin e transportit të personelit mësimdhënës në institucionet përkatëse. Më parë procesi mësimor në sistemin penitenciar zhvillohej në mënyrë joformale, nga sektorët e edukimit dhe ishin të organizuara në formën e kurseve kundër analfabetizmit.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›