Mund të shtyhet afati i dorëzimit të formularëve
TIRANE- Dita e sotme shënon edhe afatin e fundit ku çdo gjimnazist ka të drejtë të plotësojë formularin A1 dhe A1-Z, për përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje.
“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se Ministria e Arsimit, edhe pse ende nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar, mund të shtyjë këtë datë pasi numri i nxënësve që kanë plotësuar këtë formular është shumë i vogël, për shkak se koeficientët e lëndëve me zgjedhje janë shpallur me vonesë. Në formularin A1, gjimnazistët kanë mundësinë të përzgjedhin dy lëndët me zgjedhje që do të japin provim. Ndërkohë formulari A1-Z, do të plotësohet nga kandidatët për studentë që kanë përfunduar shkollën në vitet e kaluara dhe duan të mbartin provimet me zgjedhje që kanë dhënë më parë. Ky formular po praktikohet për herë të parë në Maturën Shtetërore.
Formulari A1 plotësohet për t'u regjistruar në Maturën Shtetërore 2009, vetëm nga maturantët e vitit 2009 dhe kandidatët që kanë mbaruar shkollën para vitit 2009 dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2006, 2007, 2008. Formulari A1-Z plotësohet për t'u regjistruar në Maturën Shtetërore 2009, vetëm nga kandidatët që kanë marrë pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2006, 2007, 2008 dhe që duan të mbartin, njërën ose të dyja lëndët me zgjedhje, në Maturën Shtetërore 2009.
(s.g/BalkanWeb)