E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hapet spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT, Rama: Mbështesim çiftet e reja të mjekëve për të marrë shtëpi

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë ka spitalin e ri qendror për sëmundje e brendshme me mjediset dhe instrumente më bashkëkohore të kohës në shërbim të qytetarëve dhe rritjes së profesionalizmit të bluzave të bardha.

I pranishëm në inaugurimin e këtij spitali të ri, ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky spital qendror nuk ka asnjë dallim nga spitalet e Parisit, Milanos apo Stambollit.

“Ky spital është vepra më e madhe dhe komplekse që kemi ndërtuar në këto vite, por edhe përmbushja e një nevoje të madhe për të kaluar në një epokë tjetër në shërbimin tonë shëndetësor. I kemi vënë në dispozicion bluzave të bardha një spital që ka mjedise dhe instrumente të nivelit më të lartë bashkëkohor sot.

Suksesi i shërbimi shëndetësor kombëtar nuk është vetëm motivim financiar, por edhe çështje kushtesh dhe mundësish që mjekët tanë dhe personeli të mund të rriten profesionalisht.  Jemi të vendosur ta kthejmë QSUT në një qendër ekselence në të gjitha drejtimet”, tha Rama.

Një tjetër mbështetje që do u bëhet profesionit të mjekut specialistë, policëve apo ushtarakëve është edhe mbështetja e çifteve të reja të marrin shtëpi përmes një kreditimi me kushte të tjera nga tregu bankar.

Kryeministri Edi Rama, i cili tha se kjo bëhet si pjesë e motivimit të këtyre profesioneve, por edhe krijimit të mundësive për këto çifte aty ku nevojitet shërbimi i tyre.

“Së shpejti do publikojmë një tjetër program të posaçëm për mjekët, policët dhe ushtarakët për të garantuar strehimin e tyre. Për të gjitha çiftet e reja të mjekëve specialistë, të punonjësve të policisë, ushtarakët të jenë subjekte të këtij programi ku shteti do të të mbështesë kreditimin e tyre për të pasur mundësinë e një shpie me kushte të tjera me atë të tregut bankar. Në këtë mënyrë do i japim një tjetër motivi mjekëve të rinj”, tha Rama.

Gjithashtu për të shmangur ryshfetin në mjekësi, Rama tha se mjekëve do i paguhen orët shtesë.

“Puna në spitalin publik do të jetë mundësi për të kryer punë në profesion por për t’u shpërblyer përtej pagës. Në këtë mënyrë do të përfundojë historia e ryshfeteve sepse e dimë mirë që s’është e vërtetë dhe e neveritshme shprehja e rëndomtë sa herë del një mjek përpara ‘hë se këta të lënë të vdesësh po nuk fute dorën në xhep’. Nuk ka pse të paguhet askush nën dorë se mjeku do marrë atë që i takon se do punojë ekstra”, tha Rama.

Ndërtimi i Spitalit Qendror ka një vlerë investimi rreth 17 mln euro dhe një sipërfaqe ndërtimi 23,290 m2. Spitali ka kapacitet prej 345 shtretër, 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›