Hapet varri i Mbretit Zog në Paris, trefish i blinduar
Mbreti i parë i shqiptarëve, Ahmet Zogu, është zhvarrosur dje në Paris, aty ku prehej që pas vdekjes në prill të vitit 1961. Një ekip në nivel të lartë zyrtarësh shqiptarë dhe francezë ka ndjekur nga afër ceremoninë, që i ka hapur udhë kthimit të eshtrave në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Zhvarrimi i Mbretit Ahmet Zogu nuk ka qenë edhe aq i thjeshtë dhe procesi ka vijuar gjatë. Shkak është bërë blindimi i trefishtë i varrit, që prej vitit 1977, kur edhe pati një tentativë për vjedhjen e eshtrave të tij. Për këtë arsye, më pas eshtrat u siguruan në tri arkivole, që të gjithë të blinduar maksimalisht”, thotë për gazetën “Panorama” Sulejman Gjana, nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, i cili ka qenë pjesëmarrës në këtë ceremoni.
Sipas tij, zhvarrimi i Mbretit Zog është bërë me protokoll francez, me të gjitha atributet si kryetar shteti. Ceremonia zyrtare ka qenë dypalëshe shqiptaro-franceze, ku fillimisht është hapur nga ambasadori i Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçka. Më pas, janë mbajtur 3 fjalime për jetën dhe veprimtarinë e Mbretit Zog.
Prej nënkryetarit të PLL-së mësohet gjithashtu se pas ceremonisë, trupi u dërgua në një morg të qytetit, nga ku sot do të niset drejt Turqisë: “Do të nderohet sot edhe në Stamboll nga autoritetet zyrtare turke, ndaj do të bëjë një ndalesë disaorëshe atje. Të premten, rreth orës 8-9 të mëngjesit, pas shumë dekadash, më në fund eshtrat e Mbretit Zog do të kthehen në Shqipëri”.