TransAdriatik, opsioni udhëheqës për transmetimin e gazit nga Kaspiku drejt Evropës

Drejtori i përgjithshëm i gazsjellësit TAP, Kjetil Tungland
“Aksionerët e fushës së gazit po na kërkojnë të jemi gati”
Drejtori i Përgjithshëm i Gazsjellësit TransAdriatik, Kjetil Tungland u shpreh dje gjatë punimeve të simpoziumit për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri, se projekti TAP tashmë është shndërruar në opsionin udhëheqës për të transmetuar gazin e Kaspikut në Evropë, duke lënë pas konkurrentët e tjerë. “Më parë ishin katër projekte që konkurronin për të sjellë gazin Kaspik në Europë. Tani kanë mbetur vetëm dy gazsjellësi ynë dhe Nabuko Perëndimor, por TAP është në pozicionin udhëheqës. Së fundmi, projekti po merr mbështetjen e fortë të Greqisë dhe Italisë. Mund të them po aq fort sa Shqipëria, për shkak se e kanë kuptuar se, nëse nuk mbështesin projektin TAP konkurrenti fitues do të jetë Nabuko Perëndimor, i cili nuk i jep akses në tregun e gazit as Greqisë dhe as Italisë”- tha Tungland. Shumë shpejt në Azerbajxhan pritet që të merret edhe vendimi përfundimtar, se cili nga dy projektet e mbetura në garë do të shpallet fitues. Për drejtorin e përgjithshëm të TAP, vendimi do të merren tre mujorin e dytë të 2013-ës, ndërsa ndërtimi i tij do të nisë gjatë vitit 2014-ë. “Në Azerbajxhan ka një grup kompanish që zotërojnë fushën e Shah Denizit. Këto kompani janë ato që na kanë ftuar ne dhe ato që do të marrin vendimin përfundimtar. Plani është që vendimi të merret vitin tjetër në tremujorin e dytë. Vendosja e makinerive në terren dhe ndërtimi nis në vitin 2014. Ne na duhen tre vjet për ta përfunduar ndërtimin dhe aksionerët e fushës së gazit po na kërkojnë të jemi gati”- theksoi Tungland.
Për shkak të rëndësisë së madhe gjeo-strategjike, shpesh projekti ka qenë edhe në qendër të luftës diplomatike, veçanërisht mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Unë nuk shoh ndonjë pengesë apo faktorë tjetër kundër bashkëpunimit të Greqisë dhe Shqipërisë në mbështetje të TAP. Ky projekt nuk shkakton apo nxit ndonjë mosmarrëveshje mes dy vendeve dhe s’ka arsye që të pritet ndonjë problem”- tha ai. Duke folur për përfitimet e gazsjellësit TAP, Kjetil Tungland veçoi rritjen e punësimit dhe zhvillimin rural të vendit. Shqipëria është e “privilegjuar”, tha ai, pasi TAP përshkon rreth 200 km të territorit shqiptar dhe 60 km në seksionin shqiptar të detit Adriatik. “Disa nga seksionet e gazsjellësit do të ndërtohen në zona të largëta të vendit dhe si rezultat do të ndërtohen edhe rrugët që të çojnë në këto zona. Gazsjellësi TAP do të sjellë gaz nga Azerbajxhani në Europë, duke kaluar në Shqipëri. 200 km do të jetë në Shqipëri dhe 60 km në seksionin shqiptar të detit Adriatik. Kjo është vetëm një pjesë e një rruge të gjatë dhe të komplikuar. Ky projekt kap vlerën e 45 miliardë dollarëve amerikanë dhe përfshin disa shtete dhe 10 kompani”- deklaroi ai.
Projekti i gazsjellësit TAP zotërohet nga tre kompani zvicerania “AKSPO”, norvegjezja “Shtatoil” dhe kompania gjermane “Rurgas”, të treja me një kapital tregu për 100 miliardë euro. Shpejt pritet që projektit t’i bashkohet dhe gjiganti tjetër “British Petroleum”, i cili ka njoftuar se po planifikon të blejë një pjesë të ndjeshme aksionesh.