Hapja e dosjeve/ Meta: U miratua që të hiqet vëmendja nga vjedhjet e Ramës, Partia e Lirisë po i prish gjumin

Miratimi i hapjeve të dosjeve të ish sigurimit të shtetit dhe dhënia e të drejtës së Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie duket se nuk e ka shqetësuar aspak Ilir Metën, edhe pse i gjithë ky proces nisi pikërisht pas dyshimeve të përfshirjes së emirit të tij si ish-sigurims. Teksa PS dhe PD bashkuan votat për miratimin e ligjit, Meta tha se ishte duke festuar.
Në një konferencë për mediat, Ilir Meta tha se e gjithë kjo çështje për hapjen e dosjeve në fakt po bëhet për të hequr vëmendjen nga vjedhjet e Ramës, ndërsa akuzoi kryeministrin se ka qenë ai që ka dërguar email-in anonim për dosjen e ‘I.M’.
‘Tani Rama kërkon të shmangë vëmendjen nga këto 1 miliard dollarë të reja që planifikon për 7 kontrata të reja për vitin që vjen. Këtu ka lekë për pedagogë, student, pensione. Po ai nuk rrit dot këto se s’do shkojnë në xhepin e tij. Ai fryn kontratat, PPT me qëllim për t’i mbajtur ai. Rama është shpikësi email-it anonim, e di mirë që ka bërë një autogol që do i kushtojë shumë. Por ai ka më shumë gjëra të tjera. Partia e Lirisë e tmerron ja prish gjumin. Sa i takon Autoritetit të manipulimit ju e dini që me atë jemi në një proces gjyqësor dhe do të vazhdojë. Kuvendi i Shqipërisë është tromaksur nga aktet që ka parë kryetarja e kuvendit dhe e kanë tromaksur dhe atë. Tani të gjithë e dimë që kemi të bëjmë me një akt mafioz. Dhe zgjidhja është Edi Rama, i cili është një peng, se ai nuk është zoti i kësaj afere, ai është pengu i kriminelëve. Ligji që kanë bërë këtë mbrëmë. U mbars mali dhe polli një mi. Mali u mbars më 25 korrik me një e-mail anonim dhe polli një mi mbrëmë në mes natës, më kanë thënë se unë kam qenë në një festë familjare të një miku dhe meqë nuk i dalin dy breshkat uroj që miu ta ndihmojë për t’i përmirësuar frymëmarrjen për betejat që i vijnë përpara. Rezultati i Partisë së Lirisë do jetë spektakolar në radhë të parë në kryeqytet, kontributi i Partisë së Lirisë do jetë i jashtëzakonshëm për fitoren e kandidatëve kundër të gjithë kandidateve rilindas që kanë treguar sesi e kanë shkatërruar shërbimet ndaj qytetarëve”, tha Meta.
Kuvendi miratoi pas mesnate me 94 vota pro ligjit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit me votat e PS dhe PD, ndërsa nuk morën pjesë në votim grupi i Sali Berishës. Miratimi i këtyre amendamenteve i hap rrugë verifikimit të të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimit të të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.
/rtsh.al/