Vdekja e 32-vjeçarit në Tiranë, Rama: Janë pezulluar efektivët, mjekësia ligjore po bën punën e vet

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me fermerët e Elbasanit i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për vdekjen e 32-vjeçarit L.K., pas shoqërimit në Komisariat. Kryeministri deklaron se janë pezulluar efektivët që kanë shoqëruar 32-vjeçarin në Komisariat ndërsa thekson se fjalën e fundit e ka mjekësia ligjore.
“Akuzojnë Policinë e Shtetit se ka vrarë një djalë të ri. Në mënyrën më korrekte, policia e shtetit ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë në asnjë proces. Është ngarkuar agjencia përkatëse, është mjekësia ligjore që bën punën e vet. Nuk ka asnjë shenjë që të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq dhe gjithsesi të gjithë presim përfundimin, autopsia, raporti i mjekësisë ligjore. Po çfarë lloj qeniesh janë këta që ju dalin njerëzve si gogol në ekranet e televizioneve dhe flasin për një regjim që kontrollon gjithçka dhe ne praktikisht nuk kontrollojmë asgjë se janë ekrane në barrikadë kundër qeverisë. Duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me tmerrin e madh që ishte në atë rast një tmerr i vërtetë, të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan t’i nxjerrin njerëzit rrugëve”, tha Rama.
Më 19 tetor ka ndërruar jetë në Tiranë 32-vjeçari L.K. Agjencia e Mbikëqyerjes Policore bëri me dije se 32-vjeçar L.K është ndaluar pas ndjekjes nga policia e Tiranës për një kontroll të letrave të identifikimit dhe pas shoqërimit në Komisariat mbrëmjen e 19 tetorit, ka filluar të shfaqë probleme shëndetësore. I riu u dërgua në Spitalin e Traumës, por ndërroi jetë.
/rtsh.al/