Hapja e grup-kapitullit të 2-të të negociatave, Begaj: Të vazhdojmë përpara me shumë përkushtim

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Shqipëria çeli sot grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Evropian – “Tregu i Brendshëm” në Luksemburg ku u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti sot hapjen e grup-kapitullit të 2-të të negociatave.
Begaj u shpreh se, ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian.
“Një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian: Hapja e grup-kapitullit 2 të negociatave, ‘Tregu i Brendshëm’, në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE”, theksoi Begaj.
“Të vazhdojmë përpara me shumë përkushtim, bashkëpunim, përgjegjësi dhe më shumë punë për të ecur të palëkundur drejt anëtarësimit në BE”, shkroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në rrjetet e tij sociale.
Grup-kapitulli i II-të i negociatave përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit). /j.p/