E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria çel sot grup-kapitullin II “Për tregun e brendshëm”, mbahet Konferenca e 4-t Ndërqeveritare me BE

Shqipëria do të çelë sot grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian, “Tregu i Brendshëm”, ndërsa në Luksemburg është planifikuar të mbahet edhe Konferenca e katërt Ndërqeveritare me BE-në, për të diskutuar proceset radhës për integrimin e vendit në familjen europiane, siç njofton Këshilli Europian.

Konferenca është planifikuar të organizohet në orën 18:00. Delegacionin shqiptar në këto bisedime e udhëheq kryeministri Edi Rama, së bashku me një grup ministrash, zëvendësministrash dhe drejtuesish të punës për kapitujt përkatës. Në konferencë do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos dhe Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Kryeministri Rama u prit të hënën në Bruksel fillimisht nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.

Grupkapitulli II i negociatave me BE-në përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare  dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

Shqipëria në pak muaj ka çelur grup-kapitullin më të rëndësishëm, “Themeloret”, që lidhet me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe luftën ndaj korrupsionit. Ky konsiderohet më i rëndësishmi mes grup-kapitujve, që çelet i pari dhe mbyllet i fundit. Pas tij është çelur edhe grup-kapitulli VI për çështjet e jashtme dhe sigurinë.

Vendi ynë aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor 2014. Më 9 nëntor 2010, Komisioni Evropian dha opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Komisioni vlerësoi se përpara se negociatat e anëtarësimit të hapeshin zyrtarisht, Shqipërisë i duhej të arrinte një shkallë të nevojshme përputhshmërie me kriteret e anëtarësimit, veçanërisht për të përmbushur 12 prioritetet kryesore të identifikuara në opinion.

Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.

BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.

Në tetor 2024 u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa konferenca e tretë u mbaj në 17 dhjetor të vitit që lamë pas.

Grup-kapitujt për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

  1. Themeloret – Përfshin kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat themelore, gjyqësorin dhe luftën kundër korrupsionit.
  2. Tregu i Brendshëm – Përfshin kapitujt që lidhen me ekonominë dhe tregun, si liria e qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, si dhe rregullat e konkurrencës, pronësisë intelektuale dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
  3. Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – Përfshin kapitujt që lidhen me transformimin digjital, taksimin, politikat ekonomike dhe monetare, punësimin dhe politikat sociale, ndërmarrjet dhe politikat industriale, shkencën dhe kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, si dhe bashkimin doganor me BE-në.
  4. Agjenda e Gjelbër dhe Qëndrueshmëria e Lidhjeve – Përfshin kapitujt që lidhen me energjinë, transportin, mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
  5. Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni – Përfshin kapitujt që lidhen me bujqësinë, zhvillimin rural, peshkimin dhe politikat e kohezionit.
  6. Çështjet e Jashtme – Përfshin kapitujt që lidhen me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›