Hapja e kutive, protestat e socialistëve rifillojnë nga Ruzhdia

Protestat e socialistëve do të nisin nga Ruzhdia, fshati që është bërë tashmë simboli i problemeve të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Burime të degës së Partisë Socialiste në Fier bëjnë të ditur se protestat popullore do të nisin pikërisht nga fshati i vogël i Mallakastrës së butë që zëvendësoi denjësisht Dushkun në fjalorin politik.
Edhe pse kreu i grupit të deputetëve të PS-së, Gramoz Ruçi, është shprehur për gazetën “Shqip” se akoma nuk janë mbledhur strukturat e PSSH-së për të vendosur nisjen e protestave, ai la të kuptohet se një start i mundshëm i reagimit popullor, organizuar nga PS, mund të jetë pikërisht Ruzhdia dhe më pas padyshim Fieri.
Ndërkohë, kryetari i PS-së për qytetin e Fierit, Arjon Muçaj tha se “Javën e ardhshme thuhet që do të nisin protestat. Ne kemi mbledhur strukturat si në qytet dhe në shkallë rrethi e qarku e padyshim ato i kemi njohur me situatën dhe rrjedhojën e pritshme, që janë protestat popullore”. Muçaj tha se protestat mund të organizohen njëkohësisht në të gjithë vendin. “Javën e ardhshme besohet se protestat do të nisin në disa qytete njëkohësisht, me qëllim që t’i tregohet Kryeministrit ilegjitim se nuk e ka merituar qeverisjen”.
Nga ana tjetër, Gramoz Ruçi, i cili ka kryesuar edhe fushatën zgjedhore në Qarkun e Fierit tha se këto ditë pritet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe më pas do të ketë një skenar përfundimtar për hapat që do të ndjekë kjo parti.
Nga ana tjetër, anëtarësia e PS-së në Fier që pas publikimit të hetimit për kutitë e Ruzhdies përditë u drejtohet zyrave të degës lokale, për të marrë direktivat.
Edhe dega e Partisë Socialiste në Korçë ka nisur përgatitjet për protesta. Burime zyrtare nga dega e PS në këtë qytet bënë të ditur dje se po bëhen përgatitjet e duhura për organizimin e protestave të cilat parashikohen të mbledhin një numër të madh qytetarësh krahas përfaqësuesve politikë të kësaj force. Krerët e PS-së së Korçës pretendojnë të mbledhin më shumë njerëz në sheshe, sepse sipas tyre, protesta do nuk do të fokusohet vetëm në kërkesat që ka aktualisht opozita ndaj qeverisë në aspektin politik, por do të zgjerohet në një gamë të gjerë problemesh. Sipas të dhënave nga dega e Partisë Socialiste, protestat kundër qeverisë do të përfshijnë çështje të krizës ekonomike, të varfërisë, arsimit, shëndetësisë dhe problemeve sociale që po kalon sot vendi. Edhe pse nuk ka një datë të paracaktuar për këto protesta nga ana e strukturave dhe krerëve të kësaj partie në degë konfirmohet se së shpejti do të ketë një organizim masiv që do të fokusohet jo vetëm në politikën e ditës, por përtej kësaj në çështjet më të prekshme për qytetarët.
#