E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta nën lëkurë

Librat e rinj Sabri Godo

Ai ishte thjesht një djalosh që po rritej kur mori në krah pushkën dhe iu bashkëngjit luftës. Me vështrimin që gjithnjë kërkon të kapë hapësirat, ai futi thellë brenda vetes gjithçka që ndodhte në brigadat partizane, ku mbrëmjeve drita e kuqe e perëndimit përhapej në shpatet e maleve. Burrat dhe malet kanë diçka të përbashkët mes tyre, diçka që teksa ecte çdo ditë bri pishave dhe shkurreve që rriteshin mes erës së barutit, djaloshi e ndiente… Kanë kaluar vite nga koha kur ai shihte me endje si lahej qielli e toka dhe si një mjegull e bardhë grisej nëpër shkëmbinj… Ndoshta teksa ndiente flakërimin e diellit, teksa thyente kreshtën e ashpër në një kështjellë të artë gjithë thepa, ashtu si personazhi i librit të tij (Idajeti), Sabri Godo kuptoi se brenda tij po lindte një njeri tjetër, një njeri që di të ndiejë lëvizjen e erës dhe të qiellit… një njeri që gjithmonë do t’i dhembte brenda tij, duke i bërë t’i shohë gjërat më thellë se të tjerët… Kanë kaluar vite që nga koha e luftës partizane, ku ai ishte protagonist. Ai nuk është më djaloshi që kërkonte me ngulm të mbronte malet, ku dielli shfaqej aq bukur, pasi në to fshiheshin shokët e tij partizanë. Sot ai është një personazh i njohur i politikës dhe letërsisë, një burrë që me jetën e tij ka treguar se gjithçka është e mundur kur lind nga brendësia. Ndoshta kjo është arsyeja që ai nuk deshi ta linte luftën thjesht si një kujtim, një përrallë që mund t’ua tregonte miqve dhe nipërve kaq vite më pas, pasi lufta partizane ishte më shumë se një kujtim, ajo është pjesë e historisë sonë të përbashkët, e cila kërkon të grishet për të mësuar të vërtetën e asaj që solli më pas një nga regjimet më diktatoriale në Ballkan. Më shumë se 30 vjet nga botimi i romanit të tij mbi luftën “Prova e zjarrit” (1977), Godo i rikthehet këtij botimi, duke e rishkruar sërish. Duke qenë se janë të njohura rikthimet që shkrimtarët kanë shpesh në librat e tyre dhe rikthimi i Godos te ky libër mund të quhej i tillë, nëse nuk do të mbarte një temë delikate siç është ajo e Luftës Nacionalçlirimtare. Por mjafton të lexosh librin, i cili tashmë ka ardhur nën një titull tjetër “Udhëtari”, për të kuptuar se ky nuk ka qenë një rikthim i lehtë për shkrimtarin. Ndryshe nga viti 1977, ku personazhet e “Provës së zjarrit” gjatë kohës që ndërtoheshin do të ishin në çdo moment nën autocensurë, për shkak të vetë kohës, në këtë ribotim ata vijnë me gjithë dimensionin e tyre real, duke na sjellë ne fakte tronditëse mbi luftën dhe njerëzit që besuan në të. Godo e quan këtë rikthim si një mënyrë të tijën për të kontribuar në të vërtetën e asaj çfarë historia jonë mbart. I shkruar me një gjuhë plot ngjyra, ky roman mbart brenda tij dhjetëra histori që mund të trajtoheshin më vete si libra të tjerë, na jep karaktere dhe imazhe të një jete që dhemb aq shumë teksa e lexojmë sot. Godo e ka ndier këtë libër dhe ndjesia e tij përcillet te çdo lexues që gjen aty përgjigjet e asaj çfarë ndodhi më pas me Shqipërinë komuniste. Godo ka mundur ta kthejë luftën në art dhe nëpërmjet tij të na japë ne një pasqyrë të munguar të asaj çfarë ka ndodhur, një të vërtetë që ka munguar për më shumë se gjysmë shekulli në librat e historisë, një të vërtetë që ai e ka mbajtur nën lëkurë, nga e cila mund të çlirohej vetëm duke e rishkruar atë… Personazhi kryesor i këtij libri, Idajet Mërkuri, mban mbi vete gjithë peshën e një rrëfimi jo të lehtë. Ai besonte te lufta ashtu siç besonte tek ajo çfarë ndiente për Violetën, një infermiere partizane dhe besoi sërish te ajo dhe atëherë kur i duhej të shkrepte armën në emër të saj… Transformimi i këtij personazhi në një njeri brenda të cilit lind urrejtja dhe nuk i bën më përshtypje as gjaku që po mbulon shkëmbin… është një sprovë e fortë psikologjike mbi atë çfarë besimi mund të ndryshojë njerëzit. E ku besonin ata mijëra burra, pjesa më e madhe e të cilëve nuk i kishin kaluar të 30-at, që shkrehnin armët pa menduar në “ishin ata armiqtë e vërtetë”? Kjo është një pyetje, përgjigjen e së cilës Godo e ka dhënë nëpërmjet këtij romani dhe që historia do ta japë atëherë kur vështrimi mbi luftën të jetë i qartë dhe pa kontekst politik? “URDHëR DITE! USHTRISë NACIONALçLIRIMTARE, BRIGADAVE SULMUESE, BATALIONEVE SULMUESE E TERRITORIALE, çETAVE E NJëSIVE GUERILE. KA MBëRRITUR MOMENTI T’U JAPIM GRUSHTIN E FUNDIT Të VDEKJES XHELATëVE Të POPULLIT TONë. DITA E FITORES Së MADHE PO AFROHET... Shkronjat ishin të rënda, të patundura, rreshta luftëtarësh pa mbarim, batalione e brigada që ngjiteshin drejt mendjes dhe kjo ishte mrekullia e shkronjave. Idajeti pa firmën në fund: KOMISARI POLITIK I SHTABIT Të PëRGJITHSHëM ENVER HOXHA. Idajeti e përsëriti emrin me vete. Nuk arrinte ta përfytyronte si ishte ai dhe ku punonte. - Kush është shoku Enver Hoxha? – pyeti. - Nuk e di. S’e kisha dëgjuar emrin e tij deri më sot. Ka udhëzim të popullarizohet emri, - tha nën zë e me kujdes drejtori. Idajeti vijoi të lexonte. “Urdhri i Ditës” ndryshonte pamjen e vendit, i jepte zemër e trup luftës partizane, me një udhëheqje të qartë e të fortë në krye. Batalionet e brigadat do të marshonin me hapa të sigurt drejt fitores...”, janë ca pasazhe të marra nga libri. Lufta që Godo rrëfen nuk ka armiq, por vetëm vrasës... të cilët shkrehin armët në emër të një ideali që në fund do t’i tradhtonte... Ky roman është një rrëfim i thellë psikologjik mbi transformimin jo vetëm të një njeriu... Pasazhi i fundit i romanit është një simbolikë e dhembshme e luftës. I kthyer në një njeri tjetër, Idejeti hipën në majë të shkëmbit me të cilin kishin luftuar...” Idajeti hipi majë Shkëmbit, ashtu siç e kishte menduar kur e shihte me dylbi e në ëndërr dhe i dukej si një dem i egër i gjakosur, ose si një çiban i madh që lëvizte sipër lumit e buzë malit. Për dy muaj e mundoi urrejtja e thellë, përzier me kureshtjen për të parë se ç’kishte aty brenda, ç’njerëz ishin ata, si jetonin, armatimet që kishin. Tani i kishte të gjitha nën këmbë. Shkëmbi me damarët nën tokë ishte mbuluar i gjithi me kufomat e armikut. Gjaku rrodhi deri në themele dhe kjo ishte e denjë për një fortesë të tillë. Hakmarrja u arrit e plotë. Por ai do të ndihej më mirë po të derdhte aty fuçi me benzinë e t’i vinte shkrepësen, që të mos mbetej gjurmë prej saj mbi sipërfaqen e tokës. Ai u ul te gunga e nxehtë me fytyrën nga Veriu, për ku do të niseshin brigadat. Mbi dhè përhapej gëzimi. Të nesërmen do të shpallte fejesën me Violetën. Ata të dy mund të ecnin në krah. Do të ishte një marshim me përpjekje, por e pandalshme, në ndjekje të një armiku që tërhiqej. Do të hynin në qytetet që ai s’i kishte parë ndonjëherë, duke ecur me kujdes në rrugët e asfaltuara rrëshqitëse. Pastaj, me çlirimin e plotë do të fillonte jeta e re. “Kazmën në dorë për të hapur rrugë, e ngritur shkolla, gavetën plot çdo ditë. ç’të kërkojë më shumë njeriu?” kishte thënë Dania. “Eh, jo or mik se kur ta kesh barkun plot, kërkon edhe qershi pas buke dhe atëherë fillojnë avazet”, - kishte thënë Sefedini. Idajeti po shikonte një pushkë gjermane krejt të re, të stampuar “KT 44”. Një njeri në kalë ecte buzë xhadesë. Idajeti shënoi mbi të. E uli armën dhe u mendua rëndë. Pyeti veten si mund të rritet brenda teje dëshira për të goditur çdo gjë të gjallë që lëviz përreth! Këtu mbaron kufiri i të qenit njeri. Ai i ra ngadalë me qytën metalike të pushkës gungës së Shkëmbit, që ishte bosh nga brenda. Shkëmbi nuk dëgjoi, nuk dha asnjë tingull, veçse riprodhonte rrezet e diellit që flakërinte në perëndim...” Godo ka dhënë në art tjetërsimin, atë që shohim çdo ditë ndoshta dhe në jetët tona dhe që se kuptojmë dot, vetëm se në këtë rast ky tjetërsim rrëfen filozofinë e një kohe, ku besuam...

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›