Haradinaj: PDK-së i kemi dalë hakut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se i ka dalë hakut Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një intervistë për “Epokën e Re”, Haradinaj ka deklaruar se synon që në zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë votat vetë dhe qeverinë ta formojë me subjektet e tjera politike.
Por, thotë se nuk i dihet, mund ta ketë partner edhe PDK-në, varësisht se si do të jetë rezultati pas zgjedhjeve.
Megjithatë, ka saktësuar se partneriteti me partinë e Hashim Thaçit do të jetë opsioni i fundit.
Lideri i AAK-së ka sqaruar se PDK-së nuk i është ofruar për pushtet apo për shkak të dashurisë, por për shkak të domosdoshmërisë për ta ndryshuar qeverisjen në vend.
Sa i përket procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, Haradinaj ka porositur nënkryetarin e tij, Blerim Shala dhe kryeministrin Hashim Thaçi mos të bëjnë devijime nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Haradinaj e ka kritikuar qeverisjen aktuale. Ai ka thënë se qeverisja aktuale në Kosovë është jo e mirë.
Sipas tij, qeverisja në pesë vjetët e pavarësisë nuk ka shkuar në përputhje me mundësitë dhe potencialet që i ka pasur Kosova./Indeksonline/