E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Prioritet veriun, nëse bëhem kryeministër

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është zotuar se luftimi i dukurive negative dhe integrimi i veriut të vendit do të jenë prioritet i angazhimeve të tij, në rast se ai do të marrë udhëheqjen e vendit pas zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Haradinaj i ka bërë këto komente të premten gjatë vizitës që zhvilluar në shtëpinë e Veton Vidishiqit në veriun e Mitrovicës, me ç’rast ka vlerësuar se Mitrovica dhe veriu vazhdojnë të paraqesin shqetësim për qytetarët e Kosovën.

“Shpresoj që do të marrë udhëheqjen e vendit pas zgjedhjeve dhe në rast se do të ndodhë kështu, kuptohet e kam në prioritet integrimin e veriut bazuar në motivet që janë të dobishme për të gjithë që jetojnë në veri dhe për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për regjionin. Imagjinojeni Ballkanin si proces i aftësimit për BE me një veri të këtillë ku lulëzon kontrabanda, ku lulëzon krimi, ku nuk ka kontroll në kufij. Askujt nuk i intereson një gjendje e këtillë”, ka thënë Haradinaj.

Lideri i AAK-së, po ashtu, ka përgëzuar rekomandimin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërkaq ka shtuar se integrimi i veriut është një nga para kushtet për liberalizim.

Deklaratat e djeshme të deputetit, Gani Koci për kinse shantazhet e disa prej anëtarëve të familjes Haradinaj bërë biznesmenëve në veri, kreu i AAK-së i ka quajtur gënjeshtra. (KosovaPress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›