E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësim përmes bursës

Bursa e punësimit, për të dytin vit me radhë, u hap të premten në Prishtinë. Me moton "Eja punësohu", në ambientet e hotelit Grand, rreth 90 kompani dhe biznese të ndryshme po synojnë që sadopak të zbusin papunësinë e madhe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar për përkrahjen e projekteve që kanë të bëjnë me zbutjen e papunësisë. “Sektori privat është shtylla kryesore që do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zbutjen e papunësisë”, është shprehur Thaci.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se në kohën kur shumë shtete po ballafaqohen me kriza të ndryshme financiare, Kosova po bën përpjekje që të zbusë papunësinë.

‘Në kohën kur në vendet e ndryshme shumë banka e kompani me traditë po mbyllen, në shenjë falënderimi për konsumimin e produkteve të tyre, bizneset kosovare sot janë këtu për të punësuar”, ka thënë Shahini.

Bursa e punësimit është organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ka filluar më 11 maj në Gjilan, për të vazhduar në Prizren, Pejë dhe do të përmbyllet në Prishtinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›