E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj kujton vëllanë e vogël/ Si u vra pas lufte Enveri? Si e fali Ramushi gjakun ditën e varrimit?

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përkujton vëllain e tij të vogël, Enverin, e vrarë pas luftës.

“Dhimbjet nuk u ndalën as pas luftës. Shumë shqiptarë të zotë u ndanë nga ne, i kujtojmë përjetë. Të kujtojmë përjetë, vëlla Enver“, shkruan Haradinaj.

Si u vra në prill 2025 Enver Haradinaj?

Në prill të vitit 2005, një ngjarje e rëndë tronditi të gjithë Dukagjinin teksa u ekzekutua ish-luftëtari Enver Haradinaj, asokohe 24 vjeç, vëllai i ish-kryemininistrit dhe komandatit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Ai u vra në pritë teksa po kthehej nga Peja në Deçan. Mbi të u hodh një breshëri plumbash mes fshatit Lubeniq dhe Raushiq, në magjistralen Pejë-Gjakovë.

Policia mbërriti në vendngjarje me vonesë teksa i plagosuri ishte dërguar për në Spital të Pejës, aty ku nuk mundi ti mbijetonte plagëve të marra.

Enveri ishte i treti djalë që ishte vrarë nga familja Haradinaj. Dy djemë të tjerë të kësaj familje, Luani dhe Shkëlzeni, ishin vrarë gjatë luftës.

Ramushi dhe Dauti u liruan për të marrë pjesë në varrim

Dy vëllezërit e tjerë, Ramushi dhe Dauti, ndodheshin në burg në kohën kur ndodhi ngjarja tragjike.

Ramushi ishte i arrestuar me akuzë të Tribunalit të Hagës për krime lufte, derisa Dauti ishte i dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim për të njëjtën vepër.

Në varrimin e Enverin morën pjesë dhjetëra mijëra veta. Për ceremoninë e varrimit kishte ardhur nga Haga Ramush Haradinaj, i cili ishte liruar me kusht, si dhe Daut Haradinaj, i cili ishte liruar për disa orë nga burgu i Dubravës.

Në ditën e varrimit të Enver Haradinajt, në Kosovë ishte shpallur ditë zie dhe të gjitha aktivitetet publike ishin pezulluar.

Si e fali Ramushi gjakun e vëllait ditën e varrimit?

Ramush Haradinaj foli për herë të parë për vrasjen e vëllait, në Pressing, në T7.

Ai do të thoshte se, atë ditë e kanë falur vrasësin, për të mos vazhduar vëllavrasjen.

“Me rastin e Enverit, m’kujtohet na atë ditë e kemi falë. Për shqiptarë e kemi falë se e kemi ditë që edhe qëllimi është me të shti në ndonjë zingjir, me e bind dikënd që ti ia ke vra dikënd. Kemi folë, por na s’kemi deshtë me nxjerr veç familjarin tonë n’dritë ose me na bind ne kush na ka vra, që me vazhdu një vëllavrasje. Unë mendoj që kjo agjendë, burimin s’mundet me pas te shqiptarët, agjenda e vëllavrasjes. Në fakt, shqiptarët kanë dhanë shembuj që dinë me ndalë këta, si rasti i Anton Çetës, Lëvizja e Pajtimit etj. Unë mendoj që pjesa e kësaj mundet me kanë diku tjetër. Nuk mundet me kanë në Kosovë, një proces që i dëmton njerztë. S’ka logjikë me kanë e Kosovës”, kishte deklaruar Haradinaj.

Këtë veprim të vëllait, Daut Haradinaj e kishte cilësuar triumf. Sipas tij, fjalimi i Ramushit në ceremoninë e varrimit ndikoi që Dukagjini të qetësohej.

“Unë hala vazhdoj me besu që i njëjti personalitet rus ka pas dorë në gjitha ato fatkeqësi që kanë ndodhë në Dukagjin, por mendoj që poashtu triumfi i Ramushit i madh, përpos marrëveshjes me Rugovën për bashkëqeverisje, është edhe fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit. Ka qenë mllef i madh. Unë kom mbërri dy orë ma herët se Ramushi në familje, pastaj ka ardh Ramushi, por ka qenë një tension, kur e ki gjithë atë masë, padyshim një burrë i ligë e orienton keq atë masë. Por, Ramushi bani burrni e tha le të jetë kjo dhimbja e fundit në familjet e shqiptarëve dhe shpresoj që s’o dorë shqiptare, por kushdo që t’është, me këtë rast po e mbylli”, kishte deklaruar Dauti.

Edhe sot pas 21 vitesh ende nuk dihet kush fshihet pas vrasjes së Enver Haradinaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›