Haradinaj përulet para Rugovës e Pajazitit

Gjatë vizitës tek varri i Rugovës, Haradinaj ka takuar dy djemtë e tij, deputetin Ukë Rugova dhe Mendimin.
Ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka thënë se populli i Kosovës ashtu si edhe miqtë ndërkombëtar janë mirënjohës presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Falënderojmë presidentin historik për gjithë mundin dhe punën e mirë që ka bërë për shtetin e Kosovës. Do të jem çdoherë falënderues, ashtu siç është populli i Kosovës mirënjohës për rolin e tij historik për shtetin e Kosovës, ashtu siç janë mirënjohës edhe shumë miq ndërkombëtar të Kosovës dhe e kanë vazhdimisht këtë. Më vjen mirë që takova familjen e presidentit”, ka thënë Haradinaj.
Më pas Haradinaj ka vazhduar homazhet tek shtatorja e dëshmorit, Zahir Pajaziti, ku edhe këtu kishin dal familjarët e dëshmorit për të pritur Haradinaj.
Ai me këtë rast ka thënë që dëshmori Zahir Pajaziti ka ditur të mendoj, të planifikoj por edhe të i zbatoj ato veprime.
“Popujt i kanë dy momente në rrugë për liri, moment i rëndësishëm është mendimi me ditë me menduar, me ditë me planifikuar me ditë me krijuar edhe një ide se si me shkuar te liria, një moment tjetër shumë i rëndësishëm është me zbatuar me i konkretizuar veprimet që qojnë deri në liri. Unë jam i nderuar që pata rastin me nderuar një luftëtarë i cili ka bashku këto dy vlera, i cili herët ka menduar për lirinë, por i cili herët është vu në zbatim të lirisë, heroin e Kosovës Zahir Pajaziti e falënderoj familjen Pajaziti”, ka thënë ai.
Për më tepër ai ka shtuar se do të ndalet të i nderoj vlerat e lirisë kudo që janë, pasi që siç ka thënë ai me këtë nderohet rruga e jonë për liri.
Një ditë pas lirimit të Haradinajt nga Haga ai ditën e sotme e ka filluar me homazhe, ku me këtë rast gjatë ditës së sotme do të ketë aktivitete të shumta dhe për kthimin e tij pritet të mbahet një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës./kosovapress/