Harasani: PS humbi për shkak të paaftësisë së Ramës
Jo të gjithë në Partinë Socialiste besojnë se humbja e Bashkisë së Tiranës erdhi si pasojë e një procesi jo të rregullt zgjedhor. Ndërsa kreu socialist, Edi Rama, ditën e shpalljes së vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, akuzoi mazhorancën dhe gjyqtarët se i kishin vjedhur fitoren, deputeti socialist Andis Harasani beson se humbja erdhi si pasojë e vet kryesocialistit. Deklarata e Harasanit ka ardhur sërish nëpërmjet faqes sociale “Facebook”, ku duke bashkëbiseduar me miqtë e tij, ai nuk ngurron të shprehet hapur se humbja në këto zgjedhje dhe çdo e keqe tjetër për Partinë Socialiste, ka ardhur si pasojë e vet Edi Ramës. “Kam bindje që është paaftësia e drejtuesit të PS që ka çuar në humbjet e PS-së dhe çdo të keqeje tjetër”, - shprehet Harasani në faqen e tij në FB. Më tej, ai arsyeton se një njeri që nuk ka mundur të rregullojë shtëpinë e vet, nuk mund të rregullojë shqiptarët. “Pa rregulluar shtëpinë, nuk mund të rregullosh asgjë”, - thekson Harasani, duke aluduar për problemet e brendshme që ka Partia Socialiste dhe që, sipas tij, kërkojnë zgjidhje. Por ajo që bie në sy në deklarimet e deputetit socialist, është mungesa e plotë e besimit se Rama mund ta bëjë më punën e tij si drejtues i PS-së, për ta bërë këtë fundit një forcë fituese. Ai uron që vet Rama ta ketë kuptuar se e keqja e PS-së është vet ai. “Mendoj të gjithë tani e kanë kuptuar që nuk e bën dot ai. Shpresoj ta kuptoj dhe vetë më së fundmi”, - i përgjigjet Andis Harasani, një bashkëbiseduesi në FB. Megjithatë, sekretari socialist nuk mbetet vetëm në kuadrin e konstatimeve apo të akuzave, pasi bën të ditur se ai sëbashku me njerëz të tjerë, që mendojnë si ai, do të bëjnë përpjekje që kjo situatë të mos qëndrojë kështu dhe PS të shpëtojë. “Po do bëjmë! Dhe nëse s’ia dalim, rëndësi ka që do përpiqemi. Nuk jemi pak”, - i përgjigjet Harasani njërit prej miqve të tij në FB, kur pyetet nëse do bëjnë diçka për ta nxjerrë PS-në nga kjo gjendje. Nuk është hera e parë që Harasani bën deklarata kundër kreut socialist, por është hera e parë që ai flet kaq hapur për përgjegjësitë e kreut socialist në humbjen e PS-së.
Përkundër këtyre zërave brenda PS-së, që kërkojnë analizë për zgjedhjet e 8 majit, Asambleja para dy javësh nisi një proces ndryshimi në organizimin dhe programin e PS. Po kështu, sekretari për çështjet ligjore tha në “Tonigt“ të Ilva Tares, se PS jo vetëm do të jetë në Kuvend, por do të propozojë shumë nisma ligjore, nisur që nga ndryshimet kushtetuese. Zgjedhja e Presidentit, sistemi zgjedhor, sistemi i drejtësisë etj. do të jenë disa nga objektivat e socialistëve në stinën e re të sjelljes së tyre politike në shtator.