Ngjela: Presidenti duhej t’i drejtohej Venecias për votat e gabuara
Komisionit të Venecias, sipas opozitës, duhet t’i ishte drejtuar kreu i shtetit shqiptar dhe jo Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Kështu, duket se opozitarët janë të pakënaqur nga qëndrimi që ka mbajtur Presidenti i Republikës në këtë situatë të vështirë zgjedhore, e cila u finalizua të premten me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili la në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që shpalli Lulëzim Bashën kryetar të Bashkisë Tiranë. Është një nga aleatët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kreut socialist, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, ai që flet pa dorashka për qëndrimin e tërhequr të kreut të shtetit në këtë situatë, i cili sipas tij duhet të kishte marrë nismën për të marrë mendimin e Komisionit të Venecias, para se Kolegji Zgjedhor të merrte në shqyrtim kërkesat ankimore për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë. “Komisioni i Venecias e ka shprehur qëndrimin e vet, mirë do ishte që t’i ishte drejtuar Presidenti para se të bëheshin kolegjet”, - u shpreh Ngjela dje për mediat, ndërsa ka sqaruar se vlerësimi i Komisionit të Venecias do të ishte orientues edhe për gjykatat shqiptare dhe jo detyrues.
Ndërkohë që Ngjela në deklaratën e tij nuk ka lënë pa atakuar edhe Kolegjin Zgjedhor, i cili me vendimmarrjen e tij ligjëroi Bashën si kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, Kolegji Zgjedhor me qëndrimin e tij tregoi se është pjesë e asaj pjese të korruptuar të sistemit gjyqësor. “Kolegjet shqiptare janë brenda suazës së dobët, pa personalitet dhe të korruptuar të pushtetit gjyqësor. Ajo është një çështje tjetër, kapitull tjetër dhe janë votat e popullit që do ta zgjidhin dhe atë, se nuk mund të lëmë ne një pushtet të tillë në Shqipëri. Por njëherë për njëherë, populli duhet të jetë i qartë se ne po ja bëjmë të gjitha shërbimet dhe për të treguar se ky është një vjedhës recitivist i votave”, - tha Ngjela.
Megjithatë, në mungesë të një veprimi të tillë nga ana e presidentit Topi, në ndihmë të socialistëve ka ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, i cili në mënyrë personale i është drejtuar Komisionit të Venecias duke bërë të tijat dhe disa pyetje sqaruese të socialistëve shqiptarë. Më konkretisht, Jagland në letrën e tij drejtuar “Venecias” pyet “Si duhet të trajtoheshin nga KQZ fletët e gjetura në kutitë e gabuara? A mundej KQZ që pas përfundimit të procesit së numërimit, më 14 maj, të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re duke ndryshuar rezultatin? A jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme, pasi nga tabela e rezultatit të KQZ dalin më shumë fletë të gjetura në kuti sesa numri votuesve? A ishin zgjedhjet e 8 majit të lira dhe të ndershme sipas standardeve?”. Por këtu vlen të sqarohet se arsyetimi që pritet të jap Komisioni i Venecias, lidhur me këto pyetje të sekretarit të KiE-së, do të kenë vlerë për një situatë të ngjashme që mund të krijohet në zgjedhjet e tjera të ardhshme dhe nuk do të kenë vlerë për këtë proces që po mbyllet.