E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harbuzi e do Shqipërinë

Labinot Harbuzi nuk do ta presë më Suedinë. Mesfushori kosovar ka bërë të ditur se dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare, pasi që u la vazhdimisht jashtë përfaqësueses suedeze. 25 vjeçari, i cili kishte luajtur me U-21 të Suedisë, thotë se ndihet shqiptar, edhe pse është lindur e rritur në Skandinavi. Nga Express më 13 korrik 2011 në ora 11:07

Labinot Harbuzi është lodhur duke mbetur jashtë përfaqësueses së Suedisë. Mesfushori kosovar dëshiron të ndryshojë. Futbollisti i Gençlerbirligit e ka përsëritur dëshirën e tij për të luajtur për Shqipërinë, pasi që vendi skandinav nuk po e merr parasysh.

“Dëshiroj të luaj për Kombëtaren shqiptare”, ka thënë 25 vjeçari për të përditshmen suedeze Sportbladet.

Mesfushori me pasaportë suedeze është lojtar i rëndësishëm i klubit turk Gençlerbirligi. Ish futbollisti i Malmos së fundmi e ka marrë rolin e kapitenit, por sa i përket Kombëtares, gjërat kanë mbetur njëjtë.

Harbuzi tashmë është lodhur dhe thotë se dëshiron ta ndërrojë Kombëtaren. “Kam menduar shumë për ekipin kombëtar dhe kam mbetur i zhgënjyer në disa raste. Jam lindur dhe rritur në Suedi, por kam ndjenja të thella për Shqipërinë dhe tash dëshiroj të luaj për ekipin kombëtar shqiptar”, vazhdoi ai.

Harbuzi ka luajtur për herë të fundit për Suedinë U-21 në vitin 2009 në Kampionat Evropian. Para se ta bënte këtë, ai kishte kontakte me udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), por nuk kishte asgjë konkrete.

Tash, Harbuzi tregon se sërish ka vënë kontakte me drejtuesit e FSHF-së në 7-8 muajt e fundit dhe shpreson që Shqipëria ta gjejë një zgjidhje në FIFA, në mënyrë që ai të mund t’i mbrojë ngjyrat kuq e zi në të ardhmen.

Aktualisht në ekipin kuq e zi luajnë gjashtë kosovarë: Arian Beqaj, Samir Ujkani, Armend Dallku, Lorik Cana, Debatik Curri e Ahmed Januzi.

Ndërsa fanellën kquezi më herët e kanë veshur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati, Blerim Rrustemi dhe Besart Berisha.

Sallahi zgjedh Austrinë para Shqipërisë

Derisa Labinot Harbuzi ka shprehur dëshirën që ta veshë fanellën kuqezi, talenti kosovar Ylli Sallahi ka zgjedhur Austrinë para Shqipërisë. Këtë e ka bërë të ditur përgjegjësi i zyrës së talenteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Redi Jupi.

FSHF muaj më parë kishte konfirmuar përpjekjet për ta bindur 17 vjeçarin e Byern Munchenit që ta veshë fanellën kuq e zi. Por, ish anëtari i klubit austriak SV Kapfenberg ka vendosur që ta pranojë pasaportën austriake para asaj shqiptare.

Shqipëria mund ta humb edhe Januzajn

Nuk është vetëm Ylli Sallahi që mund t’i thotë JO Shqipërisë. Përgjegjësi i zyrës së talenteve pranë FSHF’së, Redi Jupi ka bërë të ditur se në dyshim është edhe talenti tjetër kosovar Adnan Januzaj, që u transferua në javë më parë në Manchester United nga Anderlecht.

“Kam folur disa herë me babën e Januzajt, por ata janë të paqartë dhe të pavendosur. Të them të drejtën kam ende shpresa, por nga bisedat nuk është se kam pasur ndonjë sinjal inkurajues”, ka thënë Jupi për mediat shqiptare.

Përveç Januzajt, Federata Shqiptare e Futbollit po bën përpjekje që edhe disa talente tjerë me prejardhje nga Kosova t’i pajisë me pasaportë shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›