Më mirë në Gjermani

Pasi e kaloi pjesën më të madhe të karrierës në Basel, Beg Ferati vendosi ta ndërronte mjedisin gjatë kësaj vere, duke iu bashkuar klubit gjerman Freiburg.
Me kampionin zviceran, mbrojtësi kosovar merrte pjesë pothuajse rregullisht në Ligën e Kampionëve. Por, 24 vjeçari thotë se në Zvicër nuk ishte gjithçka ‘gjelbërim’.
“Liga e Kampionëve për Baselin zgjaste 2-3 ndeshje. Në kampionat, në 80 për qind të ndeshjeve e dinim se do të fitonim. Në Zvicër zakonisht luajmë përpara 3-4 mijë shikuesve”, tha Ferati për ueb faqen gjermane Badische-zeitung.de.
Në Gjermani, ai e di se do ta ketë të garantuar çdo javë që do ta presin sfida të reja dhe të vështira. “Bundesliga është një ligë e balancuar, ku kërkon pikë çdo skuadër që luan me tjetrën. E kam studiuar mirë futbollin e këtushëm. Në Freiburg çdo gjë është më strikt”, vazhdoi ai.
Ndërkohë, Ferati thotë se ndihet në formë si kurrë më parë në karrierë, edhe pse është i vetëdijshëm për sfidat e vështira që e presin në Bundesligë, sidomos në aspektin fizik. Ai do të ketë punë me sulmues të shquar si Gomez, Muller, Raul apo Farfan. Mirëpo, ish futbollisti i Baselit thekson se nuk ka pasur kurrë frikë nga kundërshtarët dhe se nuk do të ketë as tash.