E Diel, 1 Nëntor 2026

“Haremi” në periferi të Tiranës, rrëfehen gratë e marangozit: Si jetojmë me të njëjtin burrë



Fatos Mahmutaj

Ibrahim Elezi, marangozi 42-vjeçar që bashkëjeton me dy gra të ligjshme, ndoshta nuk e kishte menduar se pikërisht ky fakt do ta bënte atë personazh të mediave. Jo për shkak të besimit fetar, as nga arsye kanunore, por thjesht për të pasur pasardhës, 42-vjeçari me origjinë nga fshatrat e Krujës, është detyruar të ndajë krevatin bashkëshortor me dy gra njëkohësisht. Natyrisht, për të mos u hyrë në “hak” asnjërës, për plot 11 vjet ai kishte zbatuar me përpikëri grafikun, duke shkuar një ditë tek gruaja e parë dhe një ditë te tjetra. Këtë gjë e pohojnë të dyja gratë e 42-vjeçarit, ndërsa qëndrojnë në vilën e tyre të përbashkët që ndodhet vetëm 5 metër larg shkollës së fshatit Zall-Mner i Ri. Pikërisht, vjedhja e disa materialeve të ndërtimit në këtë objekt, do të dërgonte në qeli 42-vjeçarin, ndërsa policët që shkuan në banesën e tij, për të kryer procedurat rutinore të punës, hasën faktin e rrallë që ky burrë ishte martuar me dy gra njëkohësisht. 68-vjeçari Osman Elezi, babai i Ibrahimit, ndodhej dje në banesën e të birit ku kishte shkuar të ndihmonte nuset për problemet e ndryshme që mund t’iu dilnin pas arrestimit të të birit, mesnatën e së premtes. Sapo e pyesim të moshuarin për faktin që i biri jetonte me dy gra njëkohësisht, ndërhyn gruaja e parë Liria, duke ndërprerë menjëherë vjehrrin: “Për punën e grave, flas unë, e shpjegoj më mirë se kushdo. Për të tjerat, le të flasë babai i Ibrahimit se ai i di më mirë punët dhe se ne e kemi atë si baba”. Gjatë kohës që Liria u përgjigjej pyetjeve, gruaja e dytë, Mirela së bashku me fëmijët dhe i ati i Ibrahimit, Osmani, qëndronin aty dhe veç pohonin ato që artikulonte nusja e madhe. Osmani tha se kishte katër djem, nga të cilët Ibrahimi ishte i madhi, të gjithë të martuar. Dy prej tyre jetojnë në lagjen pranë, ndërsa më i vogli jeton në Itali, ku studion për mjekësi. Tre të parët, sipas tij, punojnë në sektorin e ndërtimit, çka u ka siguruar një jetesë relativisht të mirë. Babai pohon se e kishte pritur mirë dhe e kishte vlerësuar vendimin e të birit për të pasur fëmijë me anë të një bashkëshorteje të dytë, ndërsa rrjedhën e gjithçkaje, do e tregonte më se miri, vetë ideatorja, Lirie Elezi.
Jeni bashkëshortja e parë e Ibrahimit, kur jeni martuar me të?
Unë jam martuar me Ibrahimin para 20 vjetësh. Unë jam nga Tirana dhe me shkuesi u martova me Ibrahimin, i cili atëherë jetonte në fshat, në Krujë.
Si qëndron fakti që Ibrahimi është martuar me dy bashkëshorte?
Pasi jetova 7 vjet me Ibrahimin, vendosa që të gjeja një bashkëshorte tjetër për burrin tim dhe të jetonim të dyja në të njëjtën banesë. Gjithçka e vendosëm kur mjekët më prenë shpresat se unë mund të lindja fëmijë. Unë ia çova ndërmend burrit që të merrte një grua tjetër, me të cilën mund të lindte fëmijë. Fundja, për shkak të një defekti timin, nuk kishim asnjë arsye pse unë dhe im shoq të kalonim jetën pa pasur fëmijë dhe të plakeshim të brengosur. Pasi diskutuam një vit me radhë, duke studiuar edhe mundësitë për këtë, unë vetë zgjodha Mirelën, (bashkëshortja tjetër), si grua për tim shoq. Gjithçka e bëra për Ibrahimin. Unë atë e dua më tepër se çdo gjë. E kam burrë, vëlla, gjithçka!
Si jetoni ju dy gra me të njëjtin burrë? Po problemet që mund të lindin nga jeta e përditshme keni me njëra – tjetrën?
Gjithçka është bërë me mirëkuptim. Thashë që unë ia vura detyrë vetes martesën e dytë të tim shoqi. Kështu që, Mirela, bashkëshortja që zgjodha për Ibrahimin, është vërtet njeriu që ne prisnim të gjenim. Prej 11 vjetësh, secila prej nesh ka një dhomë gjumi të veçantë. Ibrahimi shkon një natë te njëra dhe një natë të tjera. Ne të dyja gjithë ditën jetojmë bashkë në të njëjtën banesë. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi pasur asnjëherë grindje, qoftë edhe mëri të vogla. Fëmijët e Mirelës, vajzën 11-vjeçare dhe djalin 7 vjeç, i kam rritur unë sikur të ishin të mitë. Fëmijët na duan njëlloj të dyjave.
Kur je martuar ti dhe Ibrahimi, organizuat ceremoni dasme?
Po, patjetër. Ndërsa me rastin e martesës së dytë të Ibrahimit organizuam një banket me persona shumë të afërt të familjes.
Njëra prej jush rezulton e celebruar, sipas ligjeve shqiptare në regjistrat e Gjendjes Civile, ndërsa tjetra jo, si ndiheni për këtë fakt?
Shumë mirë ndihemi. Nuk ka asnjë arsye që të ndihemi keq apo në pozitë të vështirë. Ibrahimi nuk është as i pari dhe as i fundit shqiptar që ka marrë dy gra. Fundja ai e ka bërë nga halli, jo nga e mira. Martesa e dytë ka përkuar me shpërnguljen tonë nga Kruja në Zall Mner, kështu që opinioni nuk është marrë shumë me neve.

Poligamia
Ligjet shqiptare në fuqi e ndalojnë poligaminë, por nuk e parashikojnë këtë si vepër penale. Sipas juristëve shqiptarë, jo çdo shkelje ligji përbën vepër penale, pasi bashkëjetesa e një burri me shumë gra me vullnet, mund të klasifikohet edhe si vakum ligjor. Në rastin e Ibrahim Elezit, i vetmi problem ishte moscelebrimi i martesës së tij të dytë, në të njëjtën kohë që ai ka një martesë ligjore me bashkëshorten e parë. Në regjistrat e Gjendjes Civile të fshatit Zall Mner, fëmijët e Elezit rezultojnë të lindur nga një lidhje jashtëmartesore, edhe pse nëna e tyre dhe babai jetojnë si bashkëshortë.

Vjedhja
Fqinjët e familjes Elezi pohojnë se jo vetëm Ibrahimi, por mjaft prej banorëve pranë shkollës kishin vjedhur materiale ndërtimi në objektin që po ndërtohej. Sipas tyre, njëri prej fqinjëve kishte vjedhur një natë më parë, duke mbushur karrocën me materiale disa herë, ndërsa Ibrahimi natën pas të premtes, ishte kapur duke vjedhur pllaka majolike dhe për këtë shkak kishte përfunduar në qeli. Faktin që ai kishte vjedhur materiale ndërtimi nuk e mohuan as dy gratë e tij dhe as i ati, të cilët pranuan si të zënë në faj se 42-vjeçari ishte kapur me “presh në dorë”, duke vjedhur, ndërsa në banesë i ishin gjetur sende të vjedhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›