E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Antimafia" dërgohet nga Venecia



Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese i kërkon Komisionit të Venecias një "amicus curiae" për ligjin "Antimafia". Madje këtë opinion, Kushtetuesja shqiptare ia kërkon edhe të gjitha gjykatave kushtetuese, të cilat janë anëtare të forumit të Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Venecias edhe më parë, në ato raste kur ligji gjë gjykon kërkon dhe një referencë me ligje analoge edhe të vendeve të tjera, siç ishte dhe ligji i Lustracionit apo dhe ai i Legalizimeve. Kushtetuesja nisi gjykimin e ligjit "Antimafia", me kërkesë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili e cilëson atë të mangët nga ana juridike dhe që cenon të drejtat e individit. Në seancën e parë të gjykimit të këtij ligji, palët, Komiteti i Helsinkit, dhe nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi, dhanë argumentimet e tyre lidhur me këtë ligj. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi pezullimin e zbatimit të këtij ligji, me argumentin se ai ka probleme juridike dhe prek të drejtat e njeriut. Ligji "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar" ose i njohur ndryshe si ligji "Antimafia", ka nisur zbatimin tashmë dhe është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Qëllimi i tij është goditja e krimit të organizuar, veçanërisht sekuestrimi i pasurive ndaj të gjithë atyre personave, që jetojnë në kushte të pajustifikuara jetese. Por Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në argumentimin e tij para Gjykatës Kushtetuese, shprehet se ky ligj ka probleme me sigurinë e tij juridike. Nga ana tjetër, argumentohet se ligji ka fuqi prapavepruese. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon që ligji të pezullohet fillimisht, e më pas të amendohet në nenet përkatëse. Por ligji tashmë ka hyrë në fuqi prej disa muajsh, madje si rezultat i tij Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e mjaft aseteve të dyshuara se janë vënë në rrugë kriminale. Ky ligj është miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Kuvend, në një kohë kur opozita ishte kundër këtij projekti dhe nuk ndodhej në Parlament, për shkak të bojkotit për çështjen e kutive të votimit. Sipas dispozitave të parashikuara në ligj, kushdo që ka një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht vlerës apo periudhës në të cilën është krijuar, duhet që të vërtetojë prejardhjen e saj. Në të kundërt, organet hetimore gëzojnë të drejtën, duke u bazuar mbi të dhëna paraprake të kërkojnë sekuestrimin e saj, si një formë për të prerë burimet financiare të krimit të organizuar. Megjithatë, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar vetëm në indicie dhe jo provë. Një dispozitë kjo, që është kundërshtuar nga komuniteti i avokatëve, të cilët e kanë konsideruar atë si një mundësi për abuzim dhe goditje të diferencuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›