Drogë në Itali, pranga 5 biznesmenëve
Armand Bajrami
Hetimet e nisura dy vjet më parë për një rrjet të trafikut të heroinës nga Shqipëria në Itali, janë finalizuar mbrëmjen e së shtunës me arrestimin e pesë personave. Prokuroria për Krimet e Rënda bëri të ditur dje rezultatet e operacionit të koduar “Ndërtuesi”, gjatë të cilit u arrestuan Arben Veliko, Dritan (Orges) Jahelezi, Latimir Hoxha, Panajot Dhiamandi dhe Sokol Kashta. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, pesë të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me disa shtetas shqiptarë në Itali kanë trafikuar në vitin 2008 një sasi prej rreth 12 kilogramë lëndë narkotike, drejt shtetit fqinj. Në kuadrin e të njëjtit hetim, janë arrestuar më parë në Itali edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë. Të arrestuarit janë të dyshuar për vepat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Operacioni
Detaje të operacionit “Ndërtuesi” u bënë publike dje një një konferencë për shtyp, ku merrnin pjesë prokurorët që kanë ndjekur hetimin, si edhe përfaqësues të policisë së shtetit dhe të zyrës së Bashkëpunimit Policor italian në Tiranë. Sipas Prokurorisë, ky hetim ishte shtrirë në një hark kohor nga muaji dhjetor i vitit 2008 deri të shtunën, kur u ekzekutuan pesë urdhrat e arrestit. “Disa shtetas shqiptarë, në territorin shqiptar, kanë bashkëpunuar me shtetas shqiptarë në territorin italian dhe kanë mundësuar trafikimin e një sasie heroine. Në sajë të bashkëpunimit me autoritetet italiane është bërë e mundur, që në datën 17 dhjetor 2008 në Milano të Italisë, të sekuestrohet një sasi prej 11,85 kg lëndë narkotike e llojit heroinë dhe të arrestohen në flagrancë shtetasit shqiptarë: Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari”, - tha dje prokurori, Besnik Muçi, që ka ndjekur hetimet.
Hetimi
Njëkohësisht, prokurori Muçi bëri të ditur se pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave të arrestuar nga operacioni do të kalojnë në “sitën” e prokurorisë, për të verifikuar origjinën e të ardhurave për ndërtimin e tyre. “Janë duke u kryer hetime edhe për verifikimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve të dyshuar”, - u shpreh prokurori. Sipas tij, rasti i dy ditëve më parë ishte një rast i konfirmuar plotësisht nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda, ndërsa janë duke u hetuar edhe raste të tjera të dyshuara të trafikut të narkotikëve mes dy vendeve. Prokuroria dyshon se të prangosurit, paratë që fitonin nga trafiku i narkotikëve, i investonin në biznese të ndryshme në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Të arrestuarit e dy ditëve më parë nuk ishin persona të panjohur për policinë e shtetit. Disa prej tyre kanë qenë të proceduar edhe më parë. Pak muaj më pare, të arrestuarit Veliko dhe Dhiamanti kanë qenë pjesë e një procedimi penal, ku akuzoheshin për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm për persona që ushtrojnë funksione publike”.
Trafiku
Sipas burimeve, pranë organit të akuzës për Krimet e Rënda, dyshohet se biznesmeni i arrestuar Arben Veliko ka pasur rol parësor në trafikimin e sasisë prej 11.8 kilogramësh drejt Italisë. Po sipas burimeve, Aliko dyshohet të ketë qenë pronari i drogës, ndërsa të arrestuarit e tjerë dyshohet se nëpërmjet formës së bashkëpunimit të kenë shërbyer si ndërmjetës mes tij dhe blerësve të mallit. Rruga që ka ndjekur lënda narkotike ka qenë ajo detare. Burimet bënë të ditur se droga ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet portit detar të Vlorës. Korrierë të saj kanë qenë dy shqiptarët e arrestuar në Itali, Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari. Në lidhje me ta, prokurori Edvin Kondili pohoi dje së përfshirja e tyre në trafik ka qenë rastësore, vetëm si “korrierë”. U mësua se emrat e tyre nuk do t’i bashkangjiten procedimit penal në Shqipëri. Hetimet e gjykimi ndaj Kajdos dhe Toshkollarit do të ndiqen nga autoritetet përkatëse në Itali.
Në pranga
Arben Veliko
43- vjeç, nga Vlora
Dritan (Orges) Jahelezi
33- vjeç, nga Tropoja
Latimir Hoxha
37- vjeç, nga Fieri
Panajot Dhimandi
35- vjeç, nga Vlora
Sokol Kashta
40- vjeç, nga Vlora
Veliko e Dhiamnodi korruptuan prokurorin
TIRANE – Emrat e dy ndërtuesve vlonjatë, Arben Veliko dhe Panajot Dhiamondi, u bënë të njohur në shkurt të vitit të kaluar, kur ndaj tyre u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”, të implikuar në çështjen e korruptimit të një prokurori kryeqytetas me qëllimin për t’i ulur dënimin një të afërmi të tyre, të gjykuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Kështu, më 11 shkurt të vitit të kaluar, policia e shtetit pohoi se kishte finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ndërmjetësimi”, ku ekzekutoi masat e sigurimit “arrest në shtëpi” për dy biznesmenët vlonjatë, Veliko dhe Dhiamandi, si dhe për prokurorin kryeqytetas Aleksandër Plepi, me origjinë nga Vlora. Burime nga hetimi, i cili vazhdon ende, pohuan se dy biznesmenët kishin ndërhyrë te “Plepi”, duke i ofruar 50 mijë euro, me qëllimin që bashkëshortja e prokurorit, gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Marsela Balili, t’i ulte dënimin të gjykuarit, Besnik Braka. Për pasojë, pak kohë më vonë, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, KLD pezulloi gjyqtaren Balili nga ushtrimi i detyrës, masë e cila vazhdon ende të jetë në fuqi. fa.ma.