E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harri Redknap do te donte qe ta drejtonte kombetaren e Anglise

Ai paraqitet si njeriu më i përshtatshëm nga të gjithë për t’u ulur në stolin e Anglisë. Largimi i Fabio Kapelos ia ka hapur derën katër kanatësh Harri Redknapit për të zëvendësuar italianin dhe duket se anglezi nuk është kundër, por ende nuk e ka ndarë mendjen.
Trajneri i Totenhamit është gati që të drejtojë skuadrën kombëtare në finalet e Euro 2012-ës, ndërsa nuk mendon ende që të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij në klubin londinez.
“Për kampionatin europian është e mundur që unë të drejtoj kombëtaren, duke qenë trajner i Totenhamit, por për një periudhë të gjatë është e pamendueshme që të mbahen të dyja detyrat”, - thotë veterani.
Nuk dihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i Redknapit, i cili është shprehur se do t’i vinte shumë keq nëse do të duhej të linte përgjysëm një projekt ambicioz dhe të suksesshëm që po ndërton në klubin e “Uajt Hart Lejnit”. Veçse, ai e di shumë mirë se të jesh trajner i kombëtares angleze, është një mundësi e madhe në jetë, mundësi që nuk të vjen shpesh.
Mbetet për të parë se çfarë do të ndodhë, por Totenham do të kërkonte 20 milionë stërlina nga Federata Angleze për të prishur kontratën e Redknapit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›