Harrohen ndërmarrjet e vogla

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po zënë një vend të veçantë në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave të “Albinvestit”, aktualisht në vend regjistrohen si të tilla rreth 70 mijë, të shtrira në qytetet kryesore të vendit. Karakteristikë e këtyre ndërmarrjeve është numri i lartë i të punësuarve që ato kanë. Por fakti që NVM-të kanë një peshë shumë të madhe në punësim, kërkojnë nga ana tjetër politika më aktive për të mbështetur zhvillimin e tyre. Gjeografia e shpërndarjes së NVM-ve flet në favor të rajoneve të Tiranës, Vlorës, Fierit dhe Korçës, ndërsa vërehet një rënie tjetër e numrit të ndërmarrjeve në rajonet veriore dhe verilindore të Shqipërisë, gjë që flet për një zhvillim jo të balancuar të rajoneve të Shqipërisë. Mikrondërmarrjet në vendin tonë janë karakteristikë e aktivitetit të tregtisë, ku dhe aty janë përqendruar rreth 55 për qind e mikrondërmarrjeve. Ndërmarrjet e mesme janë përfaqësuese në sektorin e industrisë me 66 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre. Sipas të dhënave më të fundit të deklaruara nga DP-ja e Tatimeve pranë Ministrisë së Financave, numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të regjistruara e ka kaluar përsëri shifrën 60 mijë njësi, duke arritur në këtë mënyrë në nivelet e vitit 2001. Kjo rritje e numrit të NVM-ve ka ardhur përsëri nga të njëjtët faktorë që sollën uljen e tyre pas vitit 2001, pra uljes së barrës fiskale për mikrondërmarrjet dhe NVM-të në përgjithësi, si dhe përmirësimit të procedurave tatimore. Një vështrim i kujdesshëm i dhënave, tregon se në numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme rreth 95 për qind të tyre e zënë mikrondërmarrjet. Brenda një aktiviteti ekonomik mikrondërmarrjet në industri zënë 11 për qind, ato në ndërtim 2 për qind, në tregti 54 për qind dhe pjesa tjetër në transport dhe shërbime të tjera. Sipas “Albinvestit”, karakteristikë kryesore e ndërmarrjeve të vogla mbetet numri i të punësuarve. Konkretisht, deri në 50 të punësuar është karakteristikë e aktivitetit të ndërtimit dhe industrisë, pasi aty janë përqendruar respektivisht 64 për qind e ndërmarrjeve të vogla (33 për qind në ndërtim dhe 31 për qind në industri), ndërsa ndërmarrjet e mesme janë kryesore në sektorin e industrisë në të cilën janë 57 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre. Por kjo panoramë punësimi paraqitet ndryshe në vendet e rajonit. Pra, në vendin tonë numri i të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është dy herë më i lartë se në Serbi dhe Mal të Zi. Në Bullgari, në sektorin e NVM-ve janë të punësuar rreth 40 për qind e të punësuarve, ndërsa në Kroaci 56 për qind. Kjo strukturë e punësimit në Shqipëri, e krahasuar me vendet e tjera të rajonit, tregon, së pari, që Shqipëria ka potencialisht një sektor ekonomik jo bujqësor më dinamik se vendet e tjera të rajonit, të cilat e kanë bazuar punësimin në ndërmarrjet e mëdha (me mbi 250 të punësuar). Po ashtu, kjo strukturë punësimi e bën Shqipërinë më imune kundrejt krizave ekonomike, për shkak të mundësisë që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për t’iu përshtatur kushteve ekonomike të reja.
Punësimi në ndërmarrjet e vogla (në %)
Shqipëria 74.1
Bosnjë-Hercegovina 53.0
Bullgaria 39.4
Kroacia 63
Republika Çeke 55.5
Rumania 56.7
Serbia dhe Mali i Zi 32.4
Numri i ndërmarrjeve
Berat 2856
Dibër 883
Durrës 7663
Elbasan 4366
Fier 6807
Gjirokastër 2649
Korçë 5599
Kukës 343
Lezhë 1590
Shkodër 2269
Tiranë 24651
Vlorë 5234
Total 64910