Subjektet në testim

Rëndimi i situatës në minierat e vendit, i shoqëruar me një sërë aksidentesh, bëjnë përgjegjës kushtet teknike në të cilat punohet. Në shumicën e rasteve problemi iu është adresuar edhe drejtuesve teknikë apo dhe inxhinierëve projektues. Pikërisht nisur nga kjo situatë, Ministria e Ekonomisë ka nxjerrë vendimin, që të gjithë personat të cilët kërkojnë të pajisen me leje profesionale për sa i përket shfrytëzimit të burimeve minerare, të testohen. Kjo do të jetë procedura e re që do të ndiqet për të gjithë ata persona apo subjekte të cilat aplikojnë për licencim. Pra, për t’u pajisur me leje profesionale nga Agjencia e Burimeve Natyrore, sipas kategorive përkatëse subjektet do t’u nënshtrohen procedurave të testimit të organizuara nga kjo agjenci. Kurse për sa i përket procedurave të testimit, ato do të përcaktohen me rregullore që do të miratohet nga ministri i Ekonomisë dhe i Tregtisë. Në këtë mënyrë, vendimi sjell heqjen e të gjitha kërkesave dhe kritereve që duhet të plotësonin personat që duhet të merrnin leje profesionale për shfrytëzimin e burimeve minerare në fushat për projektim dhe drejtim teknik të aktivitetit minerar. Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë eliminon dhënien e lejeve profesionale për të gjithë ato subjekte apo persona të cilët kërkojnë të kryejnë në sektorin minerar projektime konsulence, vlerësime dhe monitorime në drejtim teknik, kurse lejet e tjera profesionale që janë shpërndarë deri tani në përfundim të afatit të vlefshmërisë së lejes do t’u nënshtrohen procedurave të reja. Përveç kësaj, ndryshimet synojnë heqjen e të gjitha kërkesave të tepërta për licencimin dhe eliminimin e një licence kur ajo nuk ka lidhje me sigurimin e jetës, shëndetit dhe ambientit. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, të gjithë këto ndryshime pritet të japin ndikim në përmirësimin e situatës. Në vendin tonë janë të shumta kompanitë minerare të cilat shfrytëzojnë vendin tonë, ku pak ditë më parë Ministria e Financave rriti në masën 8 për qind taksën e shitjeve të mineraleve. Po ashtu, duke u nisur nga problematika me të cilën po përballet sektori i minierave, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka kërkuar në mënyrë të menjëhershme shtimin e numrit të punonjësve të komitetit të shpëtimit. Ndër të tjera, kujtojmë që, në mënyrë zyrtare, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është shpallur harta ku janë të ngritura minierat, ku vijimi i punimeve në këtë zonë duhet të jetë i kujdesshëm. Raporti evidentonte zonën e Tiranës me rrezikun më të lartë. Konkretisht, për minierën e Valiasit në zonën e Tiranës kërkohet që mbyllja e punimeve vertikale të minierës të kryhet me siguri të lartë, në mënyrë që për një periudhë qindravjeçare të garantojë ndërtimet në këtë zonë. Në raport rekomandohet që brenda zonës së konturuar të ndikimit të shfrytëzimit në sipërfaqe të mos kryhen ndërtime të çdo kategorie qofshin ato.
Hiqet plotësimi i kritereve
Për t’u pajisur me leje profesionale nga Agjencia e Burimeve Natyrore, sipas kategorive përkatëse do t’i nënshtrohen procedurave të testimit të organizuara nga kjo agjenci. Kurse për sa u përket procedurave të testimit, ato do të përcaktohen me rregullore, e cila do të miratohet nga ministri i Ekonomisë dhe i Tregtisë. Në këtë mënyrë, vendimi sjell heqjen e të gjitha kërkesave dhe kritereve që duhet të plotësonin personat që duhet të merrnin leje profesionale për shfrytëzimin e burimeve minerare në fushat për projektim dhe drejtim teknik të aktivitetit minerar.