E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hartografët, forum për marrëveshjen me Greqinë

Ekspertët e hartografisë do të mblidhen për të diskutuar skandalin e marrëveshjes pa hartë me Greqinë


Hartografët e Shqipërisë do të mblidhen së shpejti në një forum. Iniciativa është e prof. asoc. dr. Myslim Pasha, i cili ka marrë përsipër të mbledhë të gjithë ekspertët e hartografisë në një forum, ku do të diskutohet skandali i radhës i qeverisë: marrëveshja për ndarjen e ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila deri tani është shpjeguar nga përfaqësues të ekipit negociator mbi një hartë greke dhe ende nuk ka një hartë shqipe për delimitimin dhe ndarjen e shelfit kontinental.


Sipas iniciatorit të mbledhjes së forumit, mjeshtrit të kërkimeve Pasha, aty do të mblidhen dhe do të debatojnë ekspertët më të mirë shqiptarë, aktivë apo rezervë që prej dekadash janë përfaqësues të hartografisë shqiptare dhe risia është se do të debatohet duke përdorur hartën dixitale për çështjen në fjalë.


Z. Pasha tha se pas forumit do të dilet edhe me një deklaratë dhe do t'i propozohet sërish Parlamentit dhe qeverisë shqiptare që të marrë mendimin e specialistëve, përpara se të çojë për ratifikim marrëveshjen për ndarjen e ujërave detare me Greqinë.


Siç është bërë e ditur, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverive të të dy vendeve, hartografët shqiptarë ishin mënjanuar nga ekipi që negocioi me palën greke dhe përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë, kundër admirali Kristaq Gerveni, megjithëse ka qenë komandat i Flotës Detare, nuk ka përvojë me hartografinë.


Tre javë më parë, shefi i Departamentit të Hartografisë në Institutin e Gjeografisë Ushtarake, nënkolonel Behar Malaj, vendosi të japë dorëheqjen nga detyra sepse siç u shpreh: "Dhashë dorëheqjen në shenjë proteste për mungesën e hartës së ndarjes së kufirit detar. Nuk mund të qëndroj më në një institut që nuk mund të masë pronat e shtetit të tij".


Akti i tij lidhej me faktin sepse, në shtator 2009 në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, drejtoresha e Institutit të Gjeografisë Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, Miranda Zeka, tha para deputetëve të mazhorancës se "harta e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, e përcaktuar në bazë të marrëveshjes dypalëshe, nuk ekziston".


Por, megjithëse dha dorëheqjen, akti i Malajt nuk u pranua nga eprorët, të cilët e këshilluan të kthehet në punë. Sipas të njohurve të tij, Malajt i është bërë presion që ta arkivojë dosjen e dorëheqjes dhe të vazhdojë të jetë pjesë e Departamentit të Hartografisë në Institutin e Gjeografisë Ushtarake.


Prej fundit të shtatorit e deri më sot ushtarakët, historianët dhe politikanët i kanë bërë apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të njihen thellësisht me këtë marrëveshje për të kuptuar qartë cenimin e rëndë që ajo i bën sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Komisioni


Parlamentar i Ligjeve, pa asnjë votë kundër, miratoi më datë 25 shtator 2009 marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Fjalën e fundit për këtë çështje ishte vendosur ta thoshte seanca plenare e 19 tetorit, por kjo është shtyrë dy herë, ndërsa opozita, PS, ka ankimuar paktin në Gjykatën Kushtetuese.


"Shekulli" dhe media të tjera kanë publikuar prej muajsh një studim dhe hartat e kolonelit në rezervë Myslim Pasha, ku thuhet se 354.4 km2 sipërfaqje ujore në detin Jon, janë përfituar nga Greqia nga marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›