E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasa: Performanca më e lartë e eficiencës energjetike në ndërtesa, 94% realizueshmëri

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Drejtori i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë, Ani Hasa, deklaroi se agjencia ka arritur një nivel prej 65% të realizueshmërisë së objektivave në fushën e eficiensës së energjisë, ndërsa performanca më e lartë është regjistruar në sektorin e ndërtesave, me 94% realizueshmëri.

Duke raportuar sot në seancën dëgjimore të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare, Hasa tha se që nga fundi i vitit 2019 janë ndërmarrë një sërë hapash për promovimin e konceptit të eficiencës së energjisë dhe krijimin e një trupe të specializuar audituesish.

Sipas tij, aktualisht janë 100 auditues të energjisë në ndërtesa, 150 menaxherë të energjisë dhe 11 auditues për instalimet industriale.

“Agjencia për Eficiencën e Energjisë ka në detyrimet e saj përafrimin me legjislacionin europian. Fokusi kryesor është në rinovimin e ndërtesave rezidenciale dhe atyre publike, të cilat agjencia i kryen pjesërisht përmes projekteve pilot, në varësi të fondeve që ka në dispozicion”, tha Hasa.

Ndër detyrat kryesore të agjencisë, Hasa renditi përgatitjen dhe monitorimin e politikave dhe programeve për përdorimin eficient të energjisë në sektorët rezidencialë, të shërbimeve, industrisë dhe bujqësisë, si dhe përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit për Eficiencën e Energjisë.

Sipas Hasës, një nga fokusët kryesorë të agjencisë është rinovimi energjetik i ndërtesave rezidenciale dhe publike, ndërsa një pjesë e ndërhyrjeve realizohet përmes projekteve pilot, në varësi të fondeve në dispozicion.

Ai tha se gjatë vitit 2025 veprimtaria e agjencisë u përqendrua në zbatimin e politikave të eficiencës së energjisë dhe skemave mbështetëse për energjinë diellore.

Hasa theksoi se dy ligje përbëjnë shtyllat kryesore të veprimtarisë së agjencisë: ligji për eficiencën e energjisë, i miratuar në vitin 2015 dhe ligji për performancën energjetike të ndërtesave, i miratuar në korrik 2025.

Hasa bëri të ditur se për ligjin e ri për performancën energjetike të ndërtesave ka përfunduar draftimi i akteve nënligjore.

“Në total, eficenca e energjisë është vlerësuar në nivelin 65% të realizueshmërisë. Performanca më e lartë evidentohet tek eficenca e energjisë në ndërtesa, ku është arritur 94% realizueshmëri. Kjo vjen pasi konsumi më i lartë prej 38% buron pikërisht nga ndërtesat rezidenciale”, vijoi ai.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›