Hasani: Konferenca e Dytë Ndërqeveritare më 15 tetor, momenti historik i shqiptarëve

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që do të mbahet më 15 tetor në Luksemburg është momenti historik i shqiptarëve.
Në një prononcim për mediet, pas pjesëmarrjes në Samitin e V të Gruas Shqiptare të Diasporës, Hasani tha se, Shqipëria i ka bërë detyrat dhe se tashme pret hapjen e kapitujve.
I pyetur sesi shkon Shqipëria në këtë takim Hasani tha se, “Shqipëria shkon e mirëorganizuar, e qartë në atë që kërkon, e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mira të vetat. Tani qeveria ka plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve të veta. E gjithë përpjekja, është përpjekja e të gjithë shoqërisë shqiptare që ne të vazhdojmë punën që kemi arritur deri më sot”.
“Lutem të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, që këtë datë ta konsiderojnë moment historik të tyrin dhe jo të asnjë grupi apo individi të përfshirë në të”, tha Hasani.
Hasani theksoi më tej se, “ky është momenti më i rëndësishëm i marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, me familjen në të cilën ne bëjmë pjesë”. /j.p/