Dita Ndërkombëtare e Vajzave, mbahet në Gjenevë eventi për mbrojtjen e të drejtave të grave

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave u organizua në sallën e njohur ‘Victoria Hall’ të Gjenevës një event i paharrueshëm, duke shënuar një moment historik për Qendrën e Lidhjes së Shoqatave të Grave të Gjenevës (CLAFG).
Drejtuar nga presidentja Blerina Zoto, ky koncert i jashtëzakonshëm solli në qendër të vëmendjes arritjet e CLAFG, një organizatë me një trashëgimi të pasur që prej vitit 1937, e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të grave në Gjenevë dhe përtej saj.
Në eventin me më shumë se 800 të pranishëm Zoto theksoi rolin kyç të CLAFG në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Ajo falënderoi bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e shumtë të organizatës, duke përfshirë Orkestrën e Kombeve, Kombet e Bashkuara (OKB), UN Women, Qeverinë Zvicerane dhe Bashkinë e Gjenevës, të cilët kontribuan në suksesin e kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme.
Një moment emocionues ishte kur Zoto i dorëzoi një tufë lulesh dirigjentit të talentuar Antoine Marguier, në shenjë mirënjohjeje për punën e tij të shkëlqyer me Orkestrën e Kombeve.
Koncerti u bë një platformë e fuqishme për të festuar talentin dhe lidershipin e grave në muzikën klasike, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Ky event jo vetëm që ishte një tribut për arritjet e deritanishme të CLAFG, por gjithashtu riafirmoi përkushtimin e vazhdueshëm për fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës.
1 nga 4