Hasani: Shqipëria ofron potencial të lartë për investime të tjera nga Kuvajti

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Kuvajt me ftesë të Abdullah Ali Al-Yahya, ministër i Punëve të Jashtme të Kuvajtit.
Hasani e nisi vizitën me një takim produktiv me Sheikh Fahad Yousef Saud Al-Sabah, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Brendshëm, me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve rajonale dhe forcimit të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu, Hasani theksoi se ata patën shkëmbime të frytshme mbi mundësitë ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar mbështetjen e Kuvajtit për projektet infrastrukturore në Shqipëri.
“Me rininë e saj proevropiane, politikat miqësore ndaj investitorëve dhe pozicionin strategjik, Shqipëria ofron potencial të lartë për investime të tjera nga Kuvajti”, theksoi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
/a.f/r.e/