Berisha thirrje diasporës të regjistrohet për të votuar: Të firmosim ndryshimin e madh më 11 maj

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri sot thirrje diasporës që të regjistrohet për të votuar.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PD, Berisha kërkoi që të firmoset ndryshimi i madh më 11 maj.
“Sot jam këtu për t’u drejtuar me një thirrje miqësore të gjithë emigranteve dhe emigrantëve, të gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në diasporë dhe emigracion. 4 marsi është nesër, në kuptimin e asaj që koha po ikën me shpejtësi. Ndaj dhe konsiderojeni 4 marsin si një ditë të nesërme në mënyrë që të regjistroheni vetë, të regjistroni familjarët tuaj, të regjistroni dhe bisedoni me miqtë tuaj, të regjistrohen për të votuar, të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e votës dhe firmosur ndryshimin e madh të Shqipërisë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se vota e diasporës në këto zgjedhje ka peshën më të jashtëzakonshme.
“Shqipëria ka nevojë për ndryshime të jashtëzakonshme. Ndaj dhe ju drejtohem ju sot, kudo që jeni, bëni gjithçka dhe regjistrohuni në portalin e KQZ, platformën PER në mënyrë që të firmosni me 11 maj ndryshimin e madh, ndryshimin e shumëpritur të Shqipërisë”, tha ai.
Gjithashtu Berisha bëri një thirrje për çdo demokrate e demokrat, për çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD dhe opozitës shqiptare, që të shfrytëzojë këtë periudhë në mënyrë që të dy dhe trefishojnë votën.
“Është një rast unik në jetë, është një rast që ju shumëfishoni kontributin në ndryshimin e Shqipërisë, në interesin më të mirë tuajin dhe të shqiptarëve. Ndaj dhe ndani një pjesë të vogël nga koha juaj për t’u lidhur me familjarët tuaj, me miqtë tuaj, kudo që ndodhen në botë, për t’u kërkuar atyre njerëzisht që të regjistrohen, për të ndihmuar ata që të regjistrohen”, tha Berisha.
Berisha garantoi shqiptarët jashtë vendit se projekti i PD do të jetë projekti më madhështor, projekti më transformues, projekti më i bukur që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj.
Ndër të tjera, shtoi ai, “ky projekt parashikon një kuadër ligjor, kuadër fiskal, një kuadër stimujsh për zbarkimin e butë të shqiptarëve jashtë vendit, për kthimin e tyre të butë në Shqipëri, për integrimin e tyre në të gjitha fushat, atë ekonomike, akademike, kulturore, administrative, etj.”.
Por mbi të gjitha, vijoi Berisha, “programi i PD synon të ngjisë Shqipërinë në majat e teknologjisë së kohës. Ta shndërrojë atë në vendin e blackchain, bitcoin, internetit 3, data center, pra projekte të mëdha presin votën e shqiptarëve”.
“Të jeni të sigurt se pas 11 majit, Shqipëria do ndryshojë me shpejtësi shumë të madhe”, iu drejtua Berisha shqiptarëve në diasporë.
/r.e/a.f/