Hashim Thaçi dhe Boris Tadiç takohen në qershor

Thaçi e Tadiç
Takimi pas zgjedhjeve serbe, në një vend që e ka njohur pavarësinë.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të takohen gjatë muajit qershor në një vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.Sipas Express, takimi mund të zhvillohet në Londër apo Bruksel. Një burim zyrtar për të përditshmen kosovare ka deklaruar, në kushte anonimiteti, se Kryeministri Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, mund të takohen gjatë qershorit në Londër ose në Bruksel. Por takimi nuk ka gjasa të ndodhë në një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Mundësia e takimit ThaçiTadiç është përmendur disa herë, sidomos gjatë procesit të bisedimeve KosovëSerbi. Mediat kanë shkruar shpesh edhe për takime sekrete mes tyre, të cilat janë komentuar vetëm nga zyra e presidentit serb, si takime të ndodhura në samite ndërkombëtare, ku Kosova mund të ketë qenë e ftuar si vizitore. Por së fundi u raportua se një takim i tillë mund të mbahet në Sarajevë, pas zgjedhjeve të majit në Serbi dhe krijimit të qeverisë atje. Por ky raportim u përgënjeshtrua. Në kthimin në vëmendjen e publikut në muajin shkurt, të takimeve sekrete Thaçi-Tadiç, kreu i qeverisë së Kosovës nuk i komentoi takime të tilla, por theksoi se ai ishte shumë i gatshëm ta takonte Tadiçin në kushte barazie, duke shtuar se, në një rast të tillë, në axhendën e takimit do të ishte vetëm njohja e Kosovës. Kjo ishte një replikë për deklaratën e Tadiçit të bërë gjatë një vizite në Bosnjë. Presidenti serb ishte shprehur pozitivisht për një takim me Thaçin, për të diskutuar mbi zgjidhjen e problemeve, e jo për promovimin e shtetësisë së Kosovës. Gjithmonë duke marrë parasysh planin e tij katërpikësh, që parashikon një status special për Veriun, ose për ndonjë plan tjetër. Por përgjigjja e Thaçit ishte e shpejtë dhe e prerë, në rrugë mediatike. Ai theksoi se në një takim me shefin e shtetit serb do të diskutonte vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Takimi ynë nuk do të duhej të kuptohej si betejë për ta mundur njëri-tjetrin, Kosova Serbinë, ose e kundërta, sepse kjo betejë është mbyllur në qershor të vitit 1999 dhe rezultatin e di e gjithë bota. Ky takim eventual mund ti shërbejë të ardhmes më të mirë të popujve dhe shteteve tona, ka deklaruar Thaçi.
Fyle në Kosovë
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle, të hënën mbërrin për vizitë zyrtare në Kosovë, për çështjen e fizibilitetit. Zëvendësministri për Integrim, Gëzim Kasapolli, ka deklaruar për REL se gjatë vizitës në Prishtinë, komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, do të deklarojë zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit.
Jahjaga, imazh
Sipas gazetës amerikane Huffington Post, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është një personalitet që ndryshon pikëpamjet botërore për femrën e besimit mysliman. Jahjaga përmendet në shkrim si gruaja më e re në postin e Presidentes në botë, si dhe Presidentja e parë myslimane e shtetit të saj. Gazeta amerikane shkruan se, pavarësisht përshtypjes që ekziston, gratë myslimane kanë shërbyer si lidere revolucionare dhe heroike. Presidentja e Kosovës është konsideruar si një nga ato femra, të cilat kanë thyer kornizat e imazhit të gruas së ndrojtur myslimane.