E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxha: Performim i mirë i PTK-së në gjashtëmujor

Prishtinë, 27 gusht - Pretendimet e Telekomit të Serbisë ndaj pronës së Telekomit të Kosovës, nuk kanë asnjë bazë juridike, por bëhen vetëm për t’ia ulur vlerën, në prag të privatizimit.
Kështu tha drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha, në një konferencë për media, ku prezantoi raportin gjashtëmujor të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës.
Gjatë periudhës gjashtë mujore, PTK-ja ka performuar mjaft mirë, duke shënuar rritje të të hyrave të përgjithshme rreth gjashtë për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitin 2009. Kështu tha drejtori i Postës dhe Telekomunikacionit, Shyqyri Haxha, në një konferencë për media, raporton RTK.
“Të hyrat e përgjithshme janar - qershor 2010 janë më të larta gjashtë për qind krahasuar me vitin 2009. Gjashtë për qind në një vlerë prej mbi 70 milionë, d.m.th. kemi mbi katër milionë vetëm rritje në gjashtë mujorin e parë. Ne presim që gjatë vitit të kemi afër 10 milionë rritje në krahasim me vitin e kaluar, që është e barabartë me neto profitin e Aeroportit gjatë vitit të kaluar”, tha Haxha.
Haxha u lavdërua shumë për punën e bërë në këtë kompani, për realizimin e planit të biznesit, realizimin e projekteve, arkëtimin e borxheve, rritjen e konsumatorëve, e sidomos për imazhin e kompanisë.
“Kompania e PTK-së nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të mirë se tash. Asnjëherë imazhi i kompanisë nuk ka qenë më i mirë se tash, gjë që i kundërvihet të gjithë atyre që qëllimisht hedhin baltë mbi këtë kompani, sidomos në procesin e privatizimit”.
Ndërkohë, drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha tha se pretendimet e Telekomit të Serbisë ndaj pronës së Telekomit të Kosovës, nuk do t’i frikësojnë investitorët e mundshëm që duan të privatizojnë atë.
“Ata mundohen t’i frikësojnë investitorët potencialë, këto janë tentime të vazhdueshme të Serbisë që çdo gjë që ka të bëjë më jetësimin e shtetit të Kosovës, ata e pengojnë, i përdorin forcat e fundit, juridikisht nuk kanë asnjë të drejtë, por këto janë përpjekjet e tyre që ta ulin vlerën e kompanisë”.
Qeveria ka paraparë që të privatizojë rreth 75 për qind të kësaj kompanie, ndërkaq Haxha tha se të gjitha pronat e PTK-së, pas privatizimit të Telekomit dhe Valës, do t’i mbesin postës, respektivisht Qeverisë së Kosovës, ndërkaq investitorit të ri do t’i jepen me qira.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›