E Diel, 1 Nëntor 2026

Limaj: Kosovën e ndajnë nga Shqipëria vetëm 17 kilometra hekurudhë

Prishtinë, 27 gusht - Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga komuniteti i biznesit që të jetë pjesë përbërëse e bisedimeve me ekspertët shqiptarë për të marrë me koncesion Portin e Shëngjinit.
Gjatë një vizite që i bëri të premten Odës Ekonomike të Kosovës, siç raporton RTV21, ministri Limaj është takuar me kryetarin e OEK-ut, Safet Gërxhaliu, dhe përfaqëseus të bizneseve, me të cilët ka biseduar për hekurudhat e Kosovës, si dhe për rolin e komunitetit të biznesit për portin e Shëngjinit, i cili nga Qeveria e Shqipërisë i është dhënë Kosovë në shfrytëzim.
Gërgjaliu ka thënë se gjatë këtij takimi është diskutuar për krijimin e partneritetit me palën shqiptare lidhur me hekurudhën që lidh Kosovën me Shqipërinë, si dhe për rolin e komunitetit të biznesit për portin e Shëngjinit.
“Në rend të parë u bisedua për aktualizimin apo për një formë të krijimit të partneritetit me palën shqiptare nga Shqipëria për hekurudhën në drejtim Prishtinë – Prizren – Tiranë – Durrës, për rrugën e cila e ka një rëndësinë sa kombëtare e politike aq edhe ekonomike në drejtim të Prizrenit në kahe të Tetovës, koncesionimi i rrugës Prishtinë – Shkup, e cila është po ashtu e një rëndësie të veçantë dhe mbi të gjitha u bisedua mbi kontributin dhe rolin që mund ta japë Oda Ekonomike dhe komuniteti i biznesit për Portin i Shëngjinit”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërkaq, ministri Limaj ka thënë se gjatë takimit me komunitetin e biznesit dhe drejtues të OEK-së u bisedua për veprimet që do t’i marrin për autostradën Prishtinë - Shkup, gjendjen e hekurudhave, si dhe funksionalizimi i linjës hekurudhore Klinë - Xërxë - Prizren, dhe ajo që e lidh Shqipërinë me Kosovën.
“Ne do të jemi të gatshëm kur pjesa shqiptare të përfundojë pjesën e vet të hekurudhave, për faktin që Kosova ka shumë më pak punë. Ne kemi diku 17 kilometra nga Prizreni për të shkuar në drejtim të kufirit me shtetin shqiptar, kështu që nga ana jonë ne kemi shumë më të lehtë implementimin e këtij projekti se sa pjesa shqiptare por kur do që shteti shqiptar do të jetë i gatshëm për të filluar realizimin e atij projekti të propozuar nga kryeministri Berisha ne nga ana jonë do të jemi të gatshëm të fillojmë implementimin e tij”, ka thënë ai.
Mirëpo sipas ministrit Limaj, ajo që ministria ka si prioritet është funksionalizimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore Prishtinë – Shkup.
Prioritet të veçantë ministri Limaj i ka dhënë edhe Portit të Shëngjinit, duke kërkuar nga komuniteti i biznesit që të jetë pjesë përbërëse e bisedimeve me ekspertët shqiptarë për të marrë me koncesion këtë port të rëndësishëm për Kosovën.
“Ne po presim që Qeveria shqiptare t’i kryejë procedurat pranë Parlamentit. Ne kemi dërguar ekspertët që të zgjidhen modalitetet, sepse flasim për një port dhe në këtë rast të një shteti të huaj, i cili i jepet në dispozicion një shteti tjetër dhe duhet rregullore ligjore që nuk ka ndodhur deri më tani, duhet të gjendet se si është rregulluar nga vendet e tjera prandaj ekspertët e shtetit shqiptar janë duke parë si të gjenden modalitetet ligjore për t’ia dhënë në shfrytëzim Kosovës Portin e Shëngjinit”, ka thënë ministri Limaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›