E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Opozita po pengon integrimin në BE

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje opozitën shqiptare se po pengon proceset e integrimit të vendit me protestat dhe bojkotin e Kuvendit. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Edmond Haxhinasto, vuri në dukje se opozita po radikalizon mjaft thirrjet e saj në protestat që po zhvillon, çka, sipas tij, janë në të kundërt të drejtimit që duhet të ketë Shqipëria për të arritur dy prej synimeve kryesore në vend, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj, Haxhinasto bëri thirrje për partitë e opozitës që të kthehen në Kuvend dhe të kontribuojnë në kryerjen e reformave. Haxhinasto konsideroi si përgjegjës të kësaj sjelljeje të opozitës kryetarin socialist, Edi Rama, ndërsa theksoi se kjo parti nuk po artikulon asnjë gjë që ka lidhje me politikën e re.
"Dua të shpreh keqardhjen për thirrjet për radikalizim që po dëgjohen nga tribunat e protestave të opozitës.
Është vërtet për të ardhur keq, që thirrje të tilla të dëshpëruara e anakronike rrjedhin në kah krejtësisht të kundërt me përpjekjet kombëtare të të gjithë politikës për të realizuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt BE-së dhe marrjen e statusit të vendit kandidat", tha numri dy i kësaj partie.
Një qëndrim i tillë, bojkotues dhe radikal sipas Haxhinastos, tregon se kryetari socialist ka humbur sensin e realitetit, ndërsa ka harruar nevojat e qytetarëve për më shumë stabilitet dhe punësim. "Duket qartë që opozita aktuale dhe lidershipi i saj, vijoi ai, kanë humbur sensin e realitetit, ndjeshmërinë politike të nevojave që kanë qytetarët e këtij vendi për më shumë punësim, arsimim, shërbim shëndetësor e përkujdesje sociale".
Duke i cilësuar si qëndrime kokëforta irracionale, jashtë institucionale dhe antiintegruese të opozitës, zëvendëskryetari i LSI-së vuri në dukje se tregohet qartë se kauzat kombëtare integruese dhe se shërbimi ndaj qytetarëve, që deri dje ishte lajtmotivi i të ashtuquajturës "politikë e re", po sakrifikohen për hir të axhendave personale të lidershipit të saj.
"Në emër të LSI-së i bëjmë thirrje opozitës socialiste dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur të reflektojnë dhe të kujtojnë se premtimi që u kanë bërë shqiptarëve më 28 qershor ishte integrimi në Europë dhe lëvizja e lirë dhe jo mitingjet kundër këtij integrimi", deklaroi Haxhinasto. Sakaq, opozita është duke mbushur dy muaj që bojkoton Kuvendin, ndërsa ka nisur protestat në qytetet kryesore të vendit. Dy krerët, Sali Berisha dhe Edi Rama, kanë dhënë deklarata të forta që nuk tërhiqen nga pozicionet që mbajnë, ndërsa ndërkombëtarët kanë qartësuar se duhet të gjendet sa më parë zgjidhja. Pas Tiranës, PS-ja ka vijuar protestat në Berat, Shkodër, Lushnjë, ndërsa javën tjetër do të ndalojë në Elbasan. Socialistët kanë paralajmëruar një miting të madh në datën 20 nëntor në Tiranë. Në protestat e udhëhequra nga PS-ja merr pjesë edhe një parti e djathtë, Partia për Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës, si dhe përfaqësuesi i grupit që u largua nga LSI-ja, Ndre Legisi. Në kulmin e këtij debati, çështja ka devijuar drejt një tjetër shqetësimi. Deklarata e z. Rama se nuk do të hyjë në Kuvend pa u hapur kutitë e dyshimta, ka hedhur hipotezat e para se çfarë do të ndodhë me 64 deputetët që sot bojkotojnë Kuvendin dhe vijojnë protestat. Në pamje të parë duket se ata zëvendësohen me emrat e tjerë, që vijnë poshtë listës së kandidatëve të "Bashkimit për ndryshim", por ekspertët dhe vetë PS-ja ka hedhur hipoteza të tjera, duke u shprehur se Kodi Elektoral lë vend për interpretime. Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, është shprehur se 64 mandatet parlamentare të Partisë Socialiste mund të ndërpriten dhe të zëvendësohen me emrat pasardhës në listën e koalicionit "Bashkimi për ndryshim". Edhe Kume ka pranuar se Kodi Elektoral ka hapësira për interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kushtetuta përcakton ndërprerjen e mandatit, kur deputeti nuk merr pjesë në seancë për 6 muaj rresht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›