PD-LSI, ngrihen shtabet e punës për 15 nëntorin
Nxehet gara për zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy forcat politike të cilat bashkëqeverisin do të jenë rivale në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Janë ngritur shtabet në Tiranë, ku për LSI-në në krye do të jetë zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, ndërsa për PD-në do të jetë kryetari i Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi. Të dyja shtabet janë përqendruar në Rrugën e Kavajës në Tiranë, shumë pranë minibashkisë nr. 10. Këtë fundjavë ka nisur puna për ngritjen e zyrave të shtabit dhe pas dy javësh do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të minibashkisë 10. Për LSI kandidon Gjergji Thomai, ndërsa për PD-në kandidon Blendi Fuga. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë masat për votimin e 15 nëntorit. Ka miratuar modelin e fletëve të votimit, sasinë e tyre dhe ka ngritur strukturat e zgjedhjeve. Vlen të theksohet se Partia Socialiste ka bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale dhe në pesë bashki dhe komuna PD do të jetë vetëm përballë LSI. Vetëm në Komunën e Otllakut, PD dhe LSI do të kenë përballë Partinë e Punës. Në Komunën Otllak do të garojë Hektor Beqollari, nga Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, Muharrem Hoxha nga PD dhe Nasi Gjoka nga LSI. Fondi i miratuar nga KQZ për zgjedhjet e pjesshme kap vlerën e 9.6 milionë lekëve dhe këto të ardhura do të shkojnë për të mbuluar shpenzimet për pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor, të komisioneve të qendrave të votimit dhe grupeve të numërimit të votave. Gjithashtu, në këtë buxhet përfshihen dhe shpenzime për materiale specifike, si për prodhimin e fletëve të votimit, të materialeve për shtypshkrime, shërbime transporti, udhëtime dhe dieta. Partia Socialiste ka zyrtarizuar tashmë bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 15 nëntorit, duke vazhduar të mbajë të njëjtin qëndrim deri në hapjen e kutive.
Për këto zgjedhje do të jenë gjithsej 65 qendra votimi për 5 njësitë e qeverisjes vendore me 45.138 zgjedhës. Pas shtimit të 2 përqindëshit mbi numrin e zgjedhësve që përcakton Kodi Zgjedhor, sasia e fletëve të votimit që duhet të prodhohet për të 5 njësitë është 46.041 copë. Në Bashkinë Klos do të garojë Ramazan Mjeshtri nga PD dhe Xhevdet Reçi nga LSI. Në Komunën Fierzë garon Gjelosh Perkolaj nga Partia Demokratike dhe Mehmet Ponari nga LSI. Ndërsa në Bashkinë e Fushë-Arrëzit konkurron Alfred Qafa nga PD dhe Ded Gjergji nga LSI. Ndërsa në njësinë bashkiake numër. 10 në Tiranë konkurron Blendi Fuga nga PD dhe Gjergj Thomai nga LSI.