E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Qeveria të japë dorëheqje, zgjedhje të parakohshme

PRISHTINË- Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

“Çdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët e Kosovës humbin pjesë nga pavarësia e shtetit”,- thuhet në komunikatën për shtyp të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëvendosje vlerëson se ekzekutivi ka hyrë në bisedime pa vendosur kushte me Serbinë dhe ka pranuar pika që e zvogëlojnë sovranitetin e Kosovës, ndërsa situata në veri ka treguar se qeveria kosovare sipas kësaj lëvizjeje, nuk është në gjendje t’u kundërvihet strukturave ilegale.

“Qeveria e Kosovës e ka dobësuar edhe më tej pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka zvogëluar gjasat për ta realizuar ndonjëherë sovranitetin dhe integritetin territorial.Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës i ka gënjyer disa herë qytetarët e Kosovës për prezencën e doganierëve dhe forcave speciale në pikat kufitare 1 dhe 31”, .- thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

“Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe proces të manipuluar, që është dokumentuar me raste të shumta që përfshijnë, por nuk kufizohen në vjedhje, kërcënime, blerje votash etj. Prandaj, kjo qeveri është pa legjitimet demokratik”, vijon njoftimin Vetwvendosja.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›