E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto kërkon konsensus për paktin detar Shqipëri-Greqi

Nga Express më 26 dhjetor 2010 në ora 09:26

Në marrëveshjen e re për ujërat detare që Shqipëria dhe Greqia po ri-negociojnë, nuk do të shmanget institucioni i presidentit ashtu sikundërse ndodhi me marrëveshjen e pare, e rrëzuar kjo nga gjykata kushtetuese. Këtë e tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.
Haxhinasto deklaroi se në këtë marrëveshje do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, madje sipas tij, do te jete pike reference e marrëveshjes së re që po diskutohet mes Shqipërisë e Greqisë.
“Me palën greke kemi diskutuar të gjithë hapësirën dhe mundësitë e avancimit për ta konkluduar këtë marrëveshje. Në asnjë mënyrë nuk do të shmanget asnjë institucion, aq më tepër presidenti i Republikës. Vendimi i gjykatës është pika jonë e referencës, ashtu si dhe Kushtetuta e Shqipërisë për të vazhduar më tej në konkludimin e kësaj marrëveshje”, tha Haxhinasto.
Haxhinasto ka komentuar edhe incidentin e djegies së flamurit shqiptar nga tifozët maqedonas, gjatë një ndeshje basketbolli. Edhe pse e quajti një akt të papranueshëm, të organizuar nga persona të papërgjegjshëm, Haxhinasto tha se ky incident, nuk cenon marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Sigurisht këta nuk përfaqësojnë ndjenjën qytetare të maqedonasve dhe me provokimet e tyre nuk mund të ndikojnë aspak në marrëdhëniet shumë të mira që Republika e Shqipërisë ka me Maqedoninë. Sigurisht janë ngjarje të dënueshme, të cilat nuk duhet të ndodhin”, theksoi më tej Haxhinasto.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›