Haxhinasto në Bullgari, mbështetje për integrimin

"Qytetarët shqiptarë duhet që të jenë pjesë e procesit të integrimit dhe kjo nuk mund të mbetet peng i politikës së brendshme". Ky ka qenë mesazhi i Ministrit të Jashtëm të Bullgarisë Nickolay Mladenov gjatë konferencës së përbashkët të mbajtur me rastin e vizitës së Ministrit dhe zv.Kryeministrit shqiptar Edmond Haxhinasto në Bullgari.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm dhe Zv. kryeministri Edmond Haxhinasto, vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve me qëllim integrimin sa më të shpejtë rajonal. Haxhinasto gjithashtu nënvizoi nevojën për rivitalizimin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Gjatë vizitës në Sofje, Zv/Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Haxhinasto dhe Ministri Mladenov vizituan Ambasadën Norvegjeze në Bullgari, ku nënshkruan librin e ngushëllimeve për tragjedinë e së premtes në Oslo, gjatë së cilës mbetën të vrarë të paktën 93 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
Gjithashtu, Haxhinasto pati dhe një takim me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Bullgarisë Tsvetan Tsvetanov si dhe me Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva.