Shtyhet gjyqi Meta-Prifti, Gjykata nuk përzgjodhi ekspertët

Seanca e radhës nuk arriti që të caktojë specialistët për riekspertimin e video-përgjimit Meta-Prifti. Në seancën e datës 25 korrik, pritej përcaktimi i ekspertëve që do të bënin transkriptimin e videos pasi Gjykata hodhi poshtë ekspertimin e paraqitur nga Prokuroria i cili ishte bërë nga ekspertët e huaj. Ky ekspertim u hodh poshtë nga Gjykata pasi nuk respektonte procedurat normale të hetimit të parashikuara nga ligji.
Në seancën e cila zgjati vetëm 5 minuta nga ana e trupës gjykuese me relator Ardian Dvoranin, u vendos shtyrja e seancës së radhës për në datën 9 shtator në orën 13, pasi ende Gjykata nuk ka marë përgjigje nga organet përkatëse për caktimin ekspertëve të cilët do të transkriptojnë dhe hetojnë vidion. Gjykata e Lartë nuk ka ekspertë për vlerësimin e provave pasi ajo ka ekskluzivitetin të vlerësojë respektimin e ligjit nga shkallët më të ulta të gjyqësorit ndërsa kjo është një cështje specifike. Në këtë pikë, nëse edhe në shtator nuk i jepet përgjigje Gjykatës për listën e specialistëve, atëherë Topi mund të kalojë përsëri në anën e Prokurorisë, madje mund të rikthehemi tek ekspertët e huaj për riekspertimin që do të bëhet. Edhe avokati i Metës nuk kundërshtoi në prononcimin e tij mundësinë e vendosjes së ekspertëve të huaj.
Pas caktimit të ekspertëve, pritet edhe nisja e thirrjes së dëshmitarëve, ku i pari në listë qëndron edhe autori i vidiopërgjimit Dritan Prifti, i cili është edhe vetë nën akuzë pas daljes së një tjetër vidioje të dalë pas ekspertimit të lap- topit të tij, video të cilën ai e kishte regjistruar përsëri vetë. Në video, Prifti së bashku me Leonard Beqirin, ish. zv Ministër i Ekonomisë, shfaqen duke ndarë një shumë prej 70 mijë eurosh.