E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto ne Japoni nis bisedimet per heqjen e vizave Shqiperia ofron perparesi per investimet

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto zhvilloi disa takime zyrtare në Japoni, ku diskutoi mbi bashkëpunimin ekonomik, heqjen e vizave dhe hapjen e ambasadës japoneze në Tiranë

Kështu, ai e nisi turin e vizitave të tij zyrtare në Azi, ku vendqëndrimi i parë ishte Japonia.

Gjatë vizitës në Japoni, Haxhinasto u prit në një takim të veçantë nga Ministri Japonez i Punëve të Jashtme, Koichiro Gemba.

Kjo vizitë bëhet në përvjetorin e 20-të të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa duhet edhe një vit për të festuar 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në fillim të takimit, japonezi Gemba falënderoi për mbështetjen që populli dhe qeveria shqiptare kanë dhënë pas ngjarjeve tragjike në Fukushima.

“Japonia, tha ai, mbështet reformat që Shqipëria ka ndërmarrë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit”.

Në fjalën e vet, Ministri Haxhinasto shprehu falënderimin për ndihmën dhe asistencën që Japonia i ka dhënë Shqipërisë në këto dy dekadat e fundit.

Por Ministri Haxhinasto tha se tashmë ka ardhur koha që programet e asistencës dhe ndihmës të konkludohen dhe të kalohet në një fazë të re të investimeve direkte japoneze në ekonominë shqiptare.

Ai nënvizoi përparësitë që ofron Shqipëria për investimet japoneze, si një vend me kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Një nga objektivat parësore të politikës së jashtme shqiptare, tha z. Haxhinasto, mbetet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptare, si dhe e të huajve në vendin tonë”.

Në këtë kuadër, Ministri Haxhinasto tha se është koha që të hiqen vizat për shtetasit shqiptarë për të vizituar Japoninë, duke shtuar se heqja e vizave do të sjellë më afër dy popujt tanë, si dhe do të krijojë mundësi të mëdha bashkëpunimi për komunitetet e biznesit të dy vendeve.

Ministri japonez, Gemba tha se duhet të punohet bashkërisht për të realizuar heqjen e vizave. Si hap të parë, tha ai, mund të realizojmë së shpejti dhënien e vizave me afate të gjata dhe me shumë-hyrje dalje, dhe si hap i dytë, do të jetë heqja e plotë e vizave.

Më tej, Haxhinasto theksoi se forcimit të bashkëpunimit dypalësh në përgjithësi, dhe atij ekonomik dhe në fushën e turizmit në veçanti, do t’i shërbente hapja e ambasadës në Tiranë. Duke ndarë të njëjtin mendim, ministri i jashtëm japonez u shpreh se po konsiderohet seriozisht hapja e ambasadës japoneze në Tiranë.
Gjatë takimit, Ministri Haxhinasto theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën Japonia ka dhënë kontributin e saj të vlerësuar, ka forcuar paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë. Ai kërkoi që Japonia të mbështesë përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.

Në fund të takimit, ministri Haxhinasto ftoi Ministrin e Jashtëm të Japonisë Gemba për një vizitë në Tiranë, e cila do të korrespondonte me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe me 100 vjetorin shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi.

Ndërkaq, në vazhdim të vizitës në Tokio, Haxhinasto pati një takim me një grup deputetësh të parlamentit japonez (Diet), në përbërje të të cilit ishin Naoki Ëatanabe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Naoki Tanaka dhe Haku Shinkun nga Dhoma e Këshilltarëve.

Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, atë midis parlamenteve, si dhe zhvillimet në rajonet ku ndodhen dy vendet tona.

Në fjalën e vet, Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe falënderoi për ndihmën dhe asistencën e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, ndihmë e cila ka qenë e përqendruar në sektorë mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

Deputetët japonezë falënderuan për ndihmën e popullit shqiptar mbas cunamit të 11 marsit të këtij viti, dhe vlerësuan zhvillimet dhe progresin ekonomik në Shqipëri.

Ata u shprehën së vlerësojnë politikën e Shqipërisë në rajon dhe shprehën gatishmërinë për të ndihmuar që të realizohet heqja e vizave për shqiptarët. Po ashtu, ata shprehën angazhimin që të nxisin rritjen e numrit të turistëve japonezë në Shqipëri.

Duke vlerësuar rolin dhe rëndësinë e diplomacisë parlamentare, deputetët japonezë nënvizuan domosdoshmërinë e forcimit të kontakteve dhe shkëmbimeve midis dy parlamenteve, duke mirëpritur vizitat e deputetëve shqiptarë në Tokio.

Por Haxhinasto u takua edhe me Zv.Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Grupin parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri.

Ai vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve dhe falënderoi për ndihmën e Japonisë në fusha të rëndësishme për popullin dhe ekonominë shqiptare si në infrastrukturë, shëndetësi, energji, burime minerare, etj.

“Marrëdhëniet midis dy vendeve, tha z. Haxhinasto, duhet të kenë një zhvillim cilësor në të ardhmen dhe për këtë, mbas përfundimit të projekteve ekzistuese duhet të krijohet më shumë hapësirë për investimet në Shqipëri dhe në rajon. Këtij qëllimi, tha ai do t’i shërbente forcimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit, si dhe organizimi i një forumi biznesi Shqipëri-Japoni”.

Zv. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve japonezë vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe veçanërisht rolin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Duke ndarë të njëjtin mendim lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, Eto tha se “keni mbështetjen tonë për këtë gjë dhe shprehu sigurinë se nëpërmjet negociatave dypalëshe një gjë e tillë do të realizohet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›