E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Izrael Popujt tane meritojne te ardhmen me te ndritur

Gjatë vizitës në Jerusalem, Kryeministri Berisha iu drejtua sot, me një fjalë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë ku bëjnë pjesë ish diplomatë izraelitë.

Takimi, i iniciuar për nder të vizitës së Kryeministrit, pati si temë “Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.

Në fjalën e tij, Kryeministri u fokusua në marrëdhëniet mes dy kombeve e vendeve ndër kohëra dhe zhvillimin e tyre. Kryeministri u shpreh:

“Jam i gëzuar që jam këtu dhe shfrytëzoj rastin për t’ju falënderuar që më ftuat të flas mbi marrëdhëniet e dy vendeve, e dy kombeve tona, por gjithashtu, shfrytëzoj rastin për të falënderuar Kryeministrin Beniamin Netanjahu që më ftoi për të bërë këtë vizitë dhe për përkushtimin e tij të madh për të fuqizuar lidhjet miqësore dhe marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona.

Shqiptarët dhe izraelitët kanë shumë gjëra të përbashkëta, si dhe dallime midis tyre. Ata kanë të përbashkët faktin që janë ndoshta ndër kombet më të vjetra në këtë planet. Historia ndaj të dyve ka qenë një njerkë e ashpër, e padrejtë, por Zoti i ndihmoi. Ndërkohë që shumë kombe zhdukeshin, kombet tona mbijetuan. Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj Zotit.

Izraelitët, gjatë historisë, kanë humbur territoret e tyre. Shqiptarët kanë humbur më shumë se 2/3-at e territorit të tyre. Izraelitët janë përballur me barbarizmin më të tmerrshëm të kohërave moderne, holokaustin. Por, gjithashtu, shqiptarët iu nënshtruan spastrimit nga racizmi, platforma zyrtare asgjësimi, nga fqinjë që erdhën nga larg dhe u bënë fqinjët tanë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve.

Si një vend që ka mbijetuar, kombi izraelit, pasi fitoi lirinë, tregoi një energji të jashtëzakonshme për të ndërtuar të ardhmen. Popujt tanë meritojnë të ardhmen më të ndritur.

Unë mendoj lirinë dhe asnjë komb nuk ka arritur të bëjë më shumë se sa keni bërë ju. Në shumë aspekte, sakrificat e të parëve tuaj u bënë një forcë e vërtetë që ju ka shtyrë drejt të ardhmes. Historia jonë nuk ishte ajo e holokaustit, por ishte një nga historitë më të vështira. I referohem një periudhe që ka ndodhur jo shumë kohë më parë në historinë tonë, që ishte diktatura komuniste. Të dashur miq, unë kam lexuar shumë, kam parë shumë mbi të keqen, por nuk kam parë kurrë një vend të përballet me një luftë, me atë çfarë ka përballur vendi im nga diktatura komuniste, si u shkatërruam.

Kam vizituar vendin tuaj si President i Shqipërisë në vitin 1996. Në atë kohë, ministri juaj i Arsimit më tha: “Zoti Berisha, unë dëgjoja Radio Tiranën dhe zhgënjehesha e shkurajohesha shumë, sepse kishte një propagandë kundër Izraelit dhe popullit izraelit. Ndërkohë shqiptarët bënë atë që bënë në luftën e dytë botërore.” Është e vërtetë. Regjimi komunist bëri propagandën më të keqe kundër kombit izraelit dhe Izraelit. Nuk përdori fjalët që nazistët përdorën kundër Izraelit, por përsa i përket ideologjisë së urrejtjes, ishte pothuajse e njëjta. Por ju siguroj se shqiptarët ruajtën në zemrat dhe mendjet e tyre, qëndruan në anën tuaj, gjatë luftës së dytë botërore”, tha ai.

Duke shtuar më tej se marrëdhëniet tona në histori nuk janë aq të pasura, por kurdo që janë takuar kombet tona, janë takuar si kombe mike.

“Të qenit një komb i vjetër ndoshta na ka mësuar disa mësime. Por, gjithashtu, në rrugën e gjatë, duhet të ruash moralin, kur je i varfër në mjete të tjera. Kjo ndodhi me shqiptarët.

Ndaj, kur në kryeqytetin e vendit më të zhvilluar të Europës asokohe, regjimet, por jo vetëm regjimet, gjithashtu bashkëpunuesit, të cilët nuk ishin politikanë, pranuan dhe aplikuan gjuetinë kundrejt hebrenjve, vetëm sepse ata ishin hebrenj, pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm për zhvillimin, mendimin, shkencën, historinë e tyre, kjo nuk ndodhi në fshatrat më të largëta të Europës, që ishin fshatrat në Shqipëri, nuk ndodhi në qytetet e vendit tim, të kombit tim.

Në fakt, kjo ishte e papranueshme, gjithashtu, nga autoritetet zyrtare shqiptare të asaj kohe. Ndaj, ky është një kapitull i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Kam lexuar diku se Winston Churchill donte të zhvendoste në Shqipëri, për arsye sigurie, një numër të madh hebrenjsh. Ndoshta, ai e la atë ide. Por hebrenjtë erdhën dhe erdhën në siguri dhe u larguan në siguri.

Pa një marrëdhënie të pasur dhe intensive, ne kemi një trashëgimi pozitive dhe premtuese për marrëdhënie të shkëlqyera në të ardhmen. Sapo vendi u hap, ne trashëguam një vend krejtësisht të shkatërruar. Hebrenjtë që po largoheshin nga Shqipëria ikën për në Izrael dhe disa prej tyre për në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë ata ishin ambasadorë më të mirë të kombit tim, të vendit tim, kudo që shkuan. Ne jemi shumë krenar për ta dhe shumë mirënjohës ndaj tyre”, shtoi Berisha.

Më tej, ai theksoi që Shqipëria beson se zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë arritur në një fazë të re, që është shumë pozitive që Izraeli ka pranuar dhe po mbështet zgjidhjen për dy shtete. Kështu, ne mbështesim zgjidhjen për dy shtete. Por, gjithashtu, ashtu siç mund ta keni dëgjuar, ne nuk do ta mbështesim kërkesën për anëtarësim në OKB të autoriteteve palestinezeve, sepse ne besojmë se rrugët e shkurtra nuk ndihmojnë në këtë proces, si dhe zgjidhja duhet të përfshijë sigurinë e plotë të të dy vendeve e dy kombeve.

“Ne, gjithashtu, besojmë se komuniteti ndërkombëtar ka rolin dhe zërin e vet. Ne jemi të kënaqur që qeveria e Izraelit mbështeti deklaratën e kuartetit, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Unë mendoj se për palestinezët, gjithashtu, është në interesin e tyre më të mirë të mbështesin kuartetin. Deklaratë, e cila kishte shumë elementë, si një udhërrëfyes, për t’i ndjekur, ndërsa rrugët e shkurtra janë kundër produktive.

Ne ndoqëm me shqetësim të madh zhvillimet në Teheran. Një Iran nuklear është me siguri një kërcënim i madh ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë. Ka një burrë sot, me aq sa di unë, në këtë planet, që përdor pothuajse të njëjtën gjuhë që përdornin nazistët 70 vjet më parë kundër popullit izraelit. Dhe ky është Ahmedinaxhadi. Askush nuk mund të thotë se ai nuk po thotë atë që mendon, sikundër edhe raporti i fundit i Agjencisë Atomike të OKB-së ka indikacione të qarta se ata po punojnë për prodhimin e armëve atomike. Në të njëjtën kohë, Irani refuzon të pranojë një monitorim, nga monitoruesit ndërkombëtarë, të fasiliteteve të tij”, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›