E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto në Vjenë, merr pjesë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së

Edmond Haxhinasto / Foto arkiv

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zhvillon sot një vizitë në Vjenë, ku do të marrë pjesë në Sesionin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.

Gjatë këtij takimi, Haxhinasto, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, do të mbajë një fjalë për delegacionet pjesëmarrëse të Këshillit të Përhershëm, duke parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së dhe qëndrimin e tij mbi çështjen e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet KiE-së dhe OSBE-së.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, Haxhinasto do të pritet nga sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, si dhe do të zhvillojë një takim të veçantë me zv.kancelarin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, me të cilin do të trajtojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe.

Gjithashtu, Haxhinasto do të marrë pjesë edhe në Koncertin e organizuar nga misioni ynë në OSBE, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›